Lidhje

Reagime në Kaliforni për vendimin mbi imigracionin

  • Mike O’Sllivan

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë disa klauzola të rëndësishme të ligjit për imigracionin të shtetit të Arizonës dhe të dyja palët në këtë debat pretendojnë se kanë arritur një fitore të pjesshme. Përkrahësit dhe kundërshtarët e këtij ligji në Kaliforni thonë se çështjet që ai ngre, vazhdojnë të ekzistojnë në gjithë vendin.


Gjykata më e lartë e vendit hodhi poshtë tre klauzola të ligjit të Arizonës për imigrantët e paligjshëm, me argumentin se ato shkelin autoritetin shtetëror dhe federal për imigracionin. Por Gjykata e Lartë mbajti në fuqi një klauzolë të debatueshme që parashikon që policia të kontrollojë statusin e atyre që i ndalon për arsye të tjera, nëse dyshon se ndodhen në vend ilegalisht.


Punëtorët në një qendër punësimi ditor në Los Angeles e kanë ndjekur nga afër debatin.


Ata janë banorë të Kalifornisë, kështuqë nuk i prek ky ligj. Por Saul Linas thotë se ai druhet se ligji i Arizonës është pjesë e një prirjeje kombëtare.


“Ndjehem keq se është diçka që po u ndodh njerëzve si unë, hispanikëve. Dhe ndjehem keq sepse është diçka që nuk duhet të ndodhë. Duhet të ketë barazi për këdo që ndodhet në këtë vend dhe që punon”.
Ata që hyjnë pa dokumenta në Shtetet e Bashkuara deportohen nga autoritetet federale.


36 vjeçari Aaron Pineda është sjellë në Los Angeles kur ishte foshnjë. Ai nuk ka dokumenta dhe shqetësohet se mund ta kthejnë në Meksikë.
“Është sikur të më dërgonin në një tokë të huaj. Nuk dua të shkoj në Meksikë. Gruaja ime, gjashtë fëmijët e mi janë këtu. Ata shkojnë në shkollë, marrin nota të mira. Është e padrejtë: duan të më dërgojnë në Meksikë, por nuk kam asgjë në Meksikë”.

Guvernatorja e Arizonës, Jan Brewer thotë se ligji i shtetit të saj ka hyrë në fuqi, megjithëse pa klauzolat që i Gjykata e Lartë i hodhi poshtë.
“Gjykata la në fuqi kompetencat e organeve të rendit për të ndihmuar qeverinë federale për ligjet e imigracionit, që do të thotë se ata kanë autoritetin që nën dyshime të arsyeshme të marrin në pyetje dikë që është ndaluar nga policia, për t’u siguruar a kanë dokumenta”.

Astronomi Benjamin Zuckerman i Universitetit të Kalifornisë në Los Angeles thotë se shqetësohet për ndikimin që ka rritja e popullsisë tek mjedisi dhe emigracioni i pakontrolluar tek vendi. Ai bën pjesë në një grup të quajtur banorët e Kalifornisë për Stabilizimin e Popullsisë.


“Në kushtet kur 20 milionë amerikanë janë të papunë, shumë prej të cilëve afrikano-amerikanë ose hispanikë, që janë ose qytetarë ose me dokumenta të rregullta, ne nuk duam që të kemi një valë njerëzish që vijnë ilegalisht, sepse ata janë në konkurrencë për punë me ata që janë këtu dhe që kanë nevojë për punë”.

Të dyja palët e debatit presin që qeveria federale ta zgjidhë çështjen e miliona njerëzve që ndodhen ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG