Lidhje

Imigracioni dhe kriza financiare hedhin dyshime për një Evropë pa kufij


Imigracioni dhe kriza financiare hedhin dyshime për një Evropë pa kufij
Imigracioni dhe kriza financiare hedhin dyshime për një Evropë pa kufij

Ndërkohë që Evropa përpiqet të përmbajë krizën financiare brenda eurozonës, një tjetër përpjekje për thellimin e unitetit evropian gjithashtu po sfidohet, zona Shengen e udhëtimit të lirë. Nga Parisi, korrespondetja e Zërit të Amerikës Lisa Bryant njofton se imigracioni ilegal, kontrolli i pamjaftueshëm, korrupsioni dhe shqetësime mbi sovranitetin po pengojnë ëndërrën e udhëtimeve pa kufi.

Tashmë, për evropianët është diçka e zakonshme përdorimi i euros në 17 vendet që ndajnë këtë monedhë. Po ashtu, atyre nuk u duhet të mendojnë para se të kalojnë kufinjtë e dhjetëra shteteve pa patur nevojë të tregojnë pasaportat. E krijuar më shumë se 10 vite më parë, e është quajtura zona Shengen, tani ka 25 shtete, përfshi vende si Zvicra dhe Norvegjia që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian.

Komisionerja e Çështjeve Evropiane Cecilia Malmstrom, e cila kërkon rregulla të reja për Shengen, argumenton se përfitimet janë të shumta.

“Mendoj se është një marrëveshje e përgjithëshme mbi rendësinë e Shengenit dhe mundësive që u ofron shtetasve të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të Shengenit që të udhëtojnë të lirë, dhe ne duhet ta ruajmë këtë arritje të mrekullueshme. Kjo ka rendësi të madhe po ashtu për biznesin, ka lehtësuar jetën dhe na ka sjellë përfitime të mëdha.”

Por sot, vijueshmëria e Shengenit po vihet në pikpyetje. Javën e kaluar, pjestarët bllokuan anëtarësimin e Rumanisë dhe Bullgarisë nga shqetësimet se ato vende nuk po bënin sa duhet për të luftuar korrupsionin, krimin dhe imigracionin e paligjëshëm. Droja mbi imigracionin gjithshtu po shuan mbështetjen ndaj Shengenit në vendet pjestare si Spanja, Gjermania, Danimarka dhe Franca.

Përshembull Franca përforcoi kontrollet e saj kufitare me Italinë në fillim të vitit për të penguar valën e imigrantëve të paligjëshëm nga Afrika e Veriut. Parisi ju bashkua Spanjës dhe Gjermanisë duke shprehur shqetësime rreth kalimit nën Bashkimin Evropian të përgjegjësive kryesore për Shengenin.

Në fund të fundit, thotë eksperti i Qendrës për Reforma në Imigracion me qendër në Bruksel Hugo Brady, është mungesa e besimit.

“Politika e zonës së Shengenit është se kushdo kërkon më shumë kontroll mbi kufinjtë e të tjerëve ndërkohë që ruan të njëjtin kontroll në kufinjtë e vet....ndaj ky është paradoksi i çështjes.”

Ndërkohë, politikanët kundër imigracionit si deputeti evropian Bruno Gollnisch i Partisë së Frontit Kombëtar në Francë, po fitojnë mbështetje publike me argumentet se Shengen ose duhet të jetë më i fuqishëm ose të shpërbëhet.

“Në France kemi miliona imigrantë dhe shumë probleme sociale, dhe vendi është i tejmbushur tani si në zonat rurale ashtu dhe qytetet e medha dhe ne duhet të kemi një politkë ndryshe. Jo vetëm për njerëzit që vijnë por të mundohemi të bashkëpunojmë me vendet e origjinës që disa prej tyre të kthehen.”

Greqia e cila ndodhet në qendër të krizës evropiane të defiçitit po ashtu ka kufinjtë më porozë në Shengen. Ekspertët thonë se shumica e imigrantëve të paligjëshëm e kalojnë kufirin me Turqinë. Për momentin, agjencia e Bashkimit Evropian Frontex për kontrollin e kufirit po monitoron kufirin grek ndërkohë që ai vend nuk ka lidhje kufitare me vendet e tjera të Shengenit, duke penguar kështu përpjekjet e imigrantëve për të shkuar përpara.

Madje, ndërkohë që kriza e borxheve të Greqisë ka lëkundur besimin evropian, zoti Brady thotë se të njëjtën gjë ka bërë edhe problemi i imigracionit.

Nëse shpërbëhet eurozona, që tani po duket si diçka e mundshme, pasojat politike dhe ekonomike do të përhapeshin gjithashtu edhe në projektet madhore si Shengeni. Njerëzit do të thonin se kryesisht grekët kanë shkatërruar dhjetë vitet e ardhëshme dhe si mund tu besojmë atyre me diçka kaq sensitive si kufinjtë dhe politikat e imigracionit.”

Zoti Brady beson se vendet evropiane kanë nevojë të riorganizojnë Shengenin dhe ndërtojnë një sistem më të mirë për monitorimin e kufirit. Ndërkohë që perspektivat duket të pamundëshme për shpërbërjen e zonës së lëvizjes së lirë së shpejti, ai thotë se nëse ndodh kjo, do të kishte ndikim rrënues në ekonomitë dhe turizmin e Evropës, ndërkohë që rajoni po mundohet të dalë nga kriza financiare.

XS
SM
MD
LG