Lidhje

Senati shqyrton reformën e imigracionit


Sipas kritikëve projektligji do të shtojë numrin e personave që hyjnë në mënyrë të paligjshme

Këtë javë, ligjvënësit amerikanë do të shqyrtojnë një propozim dypartiak për reformimin e sistemit të imigracionit dhe zgjidhjen e statusit të rreth 11 milionë njerëzve, të cilët kanë hyrë në mënyrë të paligjshme ose kanë qëndruar në vend pas skadimit të vizës. Projektligji u publikua javën e kaluar, por atij nuk iu kushtua shumë vëmendje për shkak të shpërthimeve në Maratonën e Bostonit.

Për shkak të ngjarjeve në Boston, disa zhvillime të rëndësishme në Kongres nuk morën vemendjen e duhur javën e kaluar. Një përpjekje për reformimin e ligjeve mbi armët dështoi në Senat ndërkohë që disa senatorë demokratë e republikanë, e ashtuquajtura Tetëshe, paraqiti një propozim të shumëpritur mbi reformimin e imigracionit.

“Përparësia kryesore e këtij projektligji është modernizimi i sistemit tonë të imigracionit. Projektligji ka për qëllim të ndihmojë në tërheqjen dhe ruajtjen e talenteve më të mirë në botë”.

Udhëheqësi më i lartë demokrat në Komisionin e Senatit për Drejtësinë, Patrick Leahy, thotë se gjendja e tanishme është e papranueshme.

“Mosfunksionimi i sistemit ka ndikim tek të gjithë. Ka ardhur koha për rregullimin e këtij sistemi”.

Projekt-ligji përcakton një rrugë të gjatë dhe të vështirë për marrjen e shtetësisë amerikane nga imigrantët pa dokumente. Sipas kritikëve, si ligjvënësi republikan Lou Barletta, kjo pjesë e projektligjit është thjesht amnisti e cila do të shtojë numrin e personave që do të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme.

“Ne kemi ligjet tona të imigracionit për dy arsye, për mbrojtjen e sigurisë sonë kombëtare dhe për ruajtjen e vendeve të punës”.

Elementi i sigurisë kombëtare në debatin për imigracionin mund të bëhet një pikë qëndrore pas sulmeve me bombë në Boston. Dy të dyshuarit që lidhen këtë sulm erdhën në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të ligjshme. Megjithëse ende nuk janë zbuluar motivet e tyre, ata po përmenden si shembull paralajmërues nga skeptikët e reformës së imigracionit, përfshirë senatorin republikan Chuck Grassley.

“Si është e mundur që disa njerëz arrijnë t'u shmangen autoriteteve dhe të planifikojnë sulme të tilla në territorin tonë? Si mund të forcohen masat e sigurisë dhe kontrollit për njerëzit që duan të hyjnë në Amerikë? Si mund të sigurohemi që njerëzit të cilët synojnë të na bëjnë dëm të mos përfitojnë nga ligjet e imigracionit, përfshirë edhe këtë projekt-ligj të ri që ndodhet para nesh?”

Grupi i tetë senatorëve pret një debat të gjatë dhe të ashpër mbi reformën e imigracionit. Charles Schumer është senator demokrat:

“Do të ketë rreziqe që ne nuk mund t’i parashikojmë, por ne po e fillojmë me optimizëm, sepse kjo marrëveshje dypartiake na jep një anije të fortë për të lundruar në ujërat e trazuar”.

Ka mundësi që të mësohet më shumë rreth sulmit me bombë në Boston nëse i dyshuari shërohet nga plagët e marra gjatë përleshjeve me policinë dhe u jep informacione hetuesve. Ndërkohë, debati mbi reformën e imigracionit në Kongres po bën hapa përpara.
XS
SM
MD
LG