Lidhje

Çështja e imigracionit në Virxhinia


Fuqia në rritje e votuesve të pakicave në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht ajo e komunitetit amerikano-latin, ka ndryshuar skenën politike në vend. Në nivel kombëtar, tani ka mbështetje dypartiake në Kongres për reformën e imigracionit. Edhe në një qytet të vogël në veri të Virxhinias, ku disa vjet më parë imigracioni i paligjshëm ishte një çështje politike përçarëse, zemërimi publik po zhduket.

Punëtorë pa dokumente nga Amerika Qendrore ende mblidhen pranë këtij dyqani në Herndon të Virxhinias, me shpresën për të gjetur punë. Por që nga viti 2006, numri i tyre është zvogëluar.

Atëherë, zemërimi publik ndaj emigrantëve të paligjshëm u rrit shumë kur bashkia e qytetit hapi një qendër për të ndihmuar në largimin nga rruga të punëtorëve. Një grup lokal kundër emigrantëve i quajtur Minutemen protestoi për qendrën, duke fotografuar dhe duke raportuar të dyshuar si imigrantë të paligjshëm tek autoritetet federale. Në vitin 2007, këshilli bashkiak mbylli qendrën.

Por me kalimin e kohës, numri i votuesve të minoriteteve, veçanërisht amerikano-latinëve, është rritur. Cesar del Aguila është kryetar i Partisë Demokratike për qarkun e Fairfaxit, që përfshin edhe qytetin Herndon. Ai thotë se zelli anti-emigrant është pakësuar.

"Ajo që është ndryshe tani nga pesë vjet më parë, është fakti që në këshillin bashkiak të qytetit ka njerëz që kuptojnë që larmia etnike është një gjë e mirë. Nuk është diçka për t’u pasur frikë."

Ai thotë se Herndon tani konsiderohet një bastion i demokratëve në zgjedhjet kombëtare. Por delegati i Herndonit në asamblenë e shtetit të Virxhinias, republikani Tom Rust, gjithashtu po përpiqet të tërheqë vota të komunitetit amerikano-jugor, dhe kohët e fundit ka propozuar një ligj për të lejuar emigrantët pa dokumente që kanë ardhur kur ishin fëmijë të ndjekin kolegjet dhe universitetet shtetërore.

"Ne kemi një popullsi të madhe emigrantësh në Virxhinia. Ata janë qytetarë të mirë. Janë njerëz të mirë. Janë shumë punëtorë. Këta fëmijë janë sjellë këtu dhe nuk janë përgjegjës për ardhjen e tyre në këtë vend."

Por ligji nuk u miratua për shkak të mungesës së mbështetjes nga republikanët dhe prej shqetësimeve se legalizimi i punëtorëve pa dokumente do të inkurajonte më tej emigracionin e paligjshëm.

Në qytetin fqinj Centerville, një qendër për punëtorët, që nuk merr fonde publike, u hap në vitin 2011. Shumica e njerëzve në qendër kanë ardhur në SHBA vetëm. Cesar Kolindres nga El Salvadori thotë se nëse reforma e emigracionit miratohet, ata synojnë të sjellin bashkëshortet dhe fëmijët e tyre.

"Një ditë në të ardhmen, në qoftë se lejet e qëndrimit, shtetësia, ose diçka e ngjashme bëhet realitet ne do të mund të sjellim familjet tona dhe të jetojnë në këtë vend."

Ligjvënësi Rust dhe kryetari i Bashkisë së Herndonit nuk pranuan të bisedonin me Zërin e Amerikës për punëtorët ditorë. Zoti Del Aguila thotë se imigracioni i paligjshëm është një problem kombëtar, e jo një problem lokal.

"Nëse i hidhet një sy statutit të këshillit bashkiak, shihet se trajton çështjet e përdorimit të tokës, ndarjen në zona dhe çështje të buxhetit. Nuk ka të bëjë me dëbimin e njerëzve apo me arrestimin e tyre."

Ndërsa ka mbështetje në rritje lidhur me propozimin dyartiak për reformën e imigracionit në Kongres, në Herndon ekziston shqetësimi se një komponent kyç i këtij legjislacioni – dhënia e statusit ligjor për miliona punëtorë pa dokumente – mund të ndezë përsëri përçarje.
XS
SM
MD
LG