Lidhje

Imigrantët në kufirin mes Francës dhe Britanisë


Kriza e imigrantëve në Evropë po ndez debate në Britani në prag të një referendumi për të qëndruar ose jo në Bashkimin Evropian. Kryeministri David Cameron paralajmëron se largimi nga BE-ja mund të çojë në hyrjen e mijëra imigrantëve të tjerë në vend. Ndërkohë, ka tensione në rritje në portin francez të Kalesë ku mijëra imigrantë jetojnë në kampe të pabanueshme.

‘Thirrje Londrës’ – shkruhet me grafit në kampin e Kalesë ku gati 4,000 imigrantë, që mezi presin të shkojnë në Britani, jetojnë në tenda dhe kontejnierë të improvizuar.

Sipas një marrëveshjeje të vitit 2003, kontrolli britanik i kufirit bëhet në tokën franceze në Kale – gjë që i mban imigrantët në Francë.

Kryeministri britanik David Cameron paralajmëroi të hënën se marrëveshja do të kërcënohej nëse britanikët votojnë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.

“Ka shumë politikanë të opozitës në Francë që do të donin një shkak për të prishur atë marrëveshje dhe do të dëshironin që kufiri të mos ishte në Francë por në Britani. Unë nuk do të doja t’u jepja këtyre njerëzve atë justifikim.”

Policia kufitare dhe imigrantët luajnë vazhdimisht lojën e maces me miun në portin e Kalesë.

Imigrantët përpiqen të hyjnë fshehtazi përmes kamionëve në tragetet me destinacion Britaninë. Të tjerë hyjnë në tunelin ku kalojnë trenat nën Lamansh.

Ka gjithashtu tension në rritje mes imigrantëve dhe publikut. Anëtarë të grupit anti-islamik ‘PEGIDA’, që u themelua në Gjermani, u përpoqën të organizonin një marshim në Kale të shtunën – megjithë ndalimin nga autoritetet lokale të protestave publike.

“Këta njerëz nuk i kuptojnë të mirat e përbashkëta. Ata duan thjesht të shfrytëzojnë varfërinë dhe zemërimin dhe nuk kanë vend këtu në Kale," thotë Xavier Bertrand, president i rajonit të Francës Veriore.

Javët e fundit, kampet e imigrantëve janë prekur nga dëbora dhe stuhitë e dimrit. Organizata Mjekët pa Kufij – e vetmja organizatë bamirëse që punon në Kale – thotë se kushtet në një kamp pranë qytetit Dunkirk duhet të përmirësohen.

“Aty jetojnë 2500 njerëz, kryesisht kurdë nga Iraku dhe Siria. Njerëzit jetojnë në baltë, mes minjve; ata po sëmuren nga kushtet e vështira sanitare”, thotë Natalie Roberts e organizatës Mjekët pa Kufij.

Organizata thotë se loboi me sukses për ndërtimin e një kampi të ri në Dunkirk i cili pritet të hapet në fund të këtij muaji.

Fati i kampit në të ardhmen dhe i banorëve të tij mund të varet nga zgjedhja e Britanisë – nëse do të qëndrojë apo do të largohet nga Bashkimi Evropian.

XS
SM
MD
LG