Lidhje

Imigrantë meksikanë me viza pune bëjnë punë që nuk u pëlqejnë amerikanëve


Imigrantë meksikanë me viza pune bëjnë punë që nuk u pëlqejnë amerikanëve
Imigrantë meksikanë me viza pune bëjnë punë që nuk u pëlqejnë amerikanëve

Çdo vit në SHBA hyjnë 66 mijë imigrantë të ligjshëm, me vizë pune, që njihet ndryshe si H-2-B. Ky është një program vizash që u siguron këtyre punëtorëve pagë minimale, për punë jo bujqësore, për të cilat ata thonë se do të mbeteshin pa u zënë, ngaqë paga është e ulët, puna është sezonale dhe shpeshherë tepër e rëndë. Amerikanët nuk aplikojnë për këto lloj punësh. Mes imigrantëve janë 1 mijë gra meksikane, të cilat përshkojnë me autobus një pjesë të mirë të Amerikës Veriore për të punuar në qytete të vogla bregdetare në Maryland në industrinë e produkteve të detit.

Rakel Treho Rubio, nga Meksika, bën një punë, që me sa duket pak amerikanë e duan. Ajo nxjerr mishin e gaforreve nga guackat:

“Erdha këtu, sepse në Meksikë nuk ka as punë, as para. Kam një vajzë dhe më duhet të kujdesem për të”.- thotë ajo.

Punëdhënësi i zonjës Treho është G.W.Hall & Son, një kompani që përpunon produktet e detit në brigjet lindore të shtetit të Merilendit. Ajo punon 8 orë në ditë, 5 ose 6 ditë në javë, për pagën minimale në Amerikë, që është 7,25 dollarë në orë, nganjëherë edhe më tepër, nëse punon shpejt. Por sa më shpejt që të punojë, aq më tepër ajo rrezikon të pritet.

G.W. Hall & Sons dikur punësonte amerikanë. Por jo më tani. Kompania thotë se punët sezonale, tepër të mundimshme, nuk u pëlqejnë amerikanëve. Prandaj, Brian Hall bën gjithshka që mundet për t’i kënaqur punëtorët e tij meksikanë. Ai thotë:

“Ne u sigurojmë transportin. Këtu ata kanë shtëpi për të jetuar, televizor me satelit, ajër të kondicionuar; gjithshka që ata duan, ne ua sigurojmë. 90 për qind e biznesit tim ka të bëjë me nxjerrjen e mishit të gaforres dhe pa këto vajza, biznesi im merr fund, ashtu sikurse edhe punishtet e tjera këtu”.

Rakel Treho dhe punëtoret e tjera kanë marrë me qira një shtëpi me tri dhoma gjumi nga punëdhënësi i tyre. Ajo thotë se është gati të rrijë edhe 9 muaj të tjerë këtu.

“Në Meksikë fitoja 110 dollarë në dy javë, këtu i bëj këto para për tre ditë!”

Megjithë këtë, një raport i ri arrin në përfundimin se punonjësit e gaforreve jetojnë të izoluar dhe shfrytëzohen nga punëdhënësit e tyre. Raporti, i bazuar tek intervistat me 40 punëtorë, u publikua nga fakulteti Juridik i Universitetit Amerikan të Washingtonit dhe Qendra për të Drejtat e Imigrantëve.

Eliza Martinez e rrëfeu historinë e saj në një konferencë shtypi që përkoi me publikimin e raportit:

“Kur nuk e njohim këtë vend, e imagjinojmë se gjithshka këtu është e bukur. Por me të ardhur këtu, shohim se nuk është siç e kishim menduar”.

Ajo thotë se ka jetuar në kushte shumë të këqija dhe jo gjithmonë ka patur punë.

“Kur donim të ndryshonim punë, bosi na thonte: Keni ardhur këtu për të punuar dhe nuk mund të shkoni të kërkoni punë në vend tjetër. Kam paguar 1 mijë dollarë për t’ju sjellë këtu, prandaj duhet të ndjeni obligimin për të qëndruar këtu. Po të ikni, do t’ju raportoj tek imigracioni dhe nuk do të ktheheni më dot”.

Këto akuza e shqetësojnë Brian Hall të kompanisë G.W. Hall & Son, i cili thotë:

“Kushdo që i ka trajtuar kaq keq vajzat punëtore duhet ta përjashtojnë nga programi H2B. Nuk më pëlqen të krijohet edhe për mua një përshtypje e tillë”.

Bill Sieling është Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Industrive të Produkteve të Detit për Gjirin Chesapeake. Ai po ashtu i kundërshton pretendimet e raportit.

“Pa diskutim që sipas standarteve tona dhe në kushtet aktuale, pjesa më e madhe e raportit nuk përputhet me realitetin tonë sot”.- thotë ai

Jayesh Rathod, professor në Universitetin Amerikan dhe një nga autorët kryesorë të raportit, thotë se synimi i raportit ishte reformimi i rekrutimeve në Meksikë dhe përmirësimi i kushteve të punës në SHBA, dhe jo eliminimi i programit.ai thotë:

“Gratë na thanë se programi është jetik për to. Ato duan vetëm të sigurohen se kanë fleksibilitetin për t’i ndryshuar punëdhënësit dhe për të fituar një sasi të mjaftueshme parash në bazë të programit, pa u kthyer në Meksikë me borxhe”.

Këtë do edhe Rakel Treho. Për sa kohë që do të mund ta mbajë familjen dhe të ndihmojë për krijimin e një ardhmeje më të mirë për të bijën, ajo do të vazhdojë punën në punishtet e përpunimit të gaforres në Amerikë.

XS
SM
MD
LG