Lidhje

Imigrantët e paligjshëm më optimistë pas njoftimit të presidentit


Presidenti Obama njoftoi se SHBA do të ndalin deportimin e imigrantëve pa dokumenta që kanë ardhur në vend si fëmijë me prindërit e tyre

Presidenti Obama kohët e fundit njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndalin deportimin e emigrantëve pa dokumenta që kanë ardhur në vend si fëmijë me prindërit e tyre. Një studim i Qendrës Pew thotë se ndryshimi i kësaj politike mund të ndihmojë rreth 1,4 milion njerëz të cilët jetojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Alaa Mukahhal ka lindur në Kuvajt nga prindër palestinezë. Kur Iraku pushtoi Kuvajtin në vitin 1990, ajo dhe familja e saj ikën në Jordani. Ata morën viza për të ardhur në Shtetet e Bashkuara në vitin 1993, kur Alaa Mukahhal ishte gjashtë vjeç.

“Viza skadoi, dhe ne qëndruam”.

Që atëherë, ajo ka jetuar si emigrante pa dokumenta.
Kur Zëri i Amerikës takoi për herë të parë zonjën Mukahhal, ajo ishte duke trokitur në dyert e shtëpive në periferi të Çikagos për të inkurajuar myslimanët amerikanë të votojnë në zgjedhjet e vitit 2010, një privilegj që asaj i është mohuar. Në atë kohë, zonja Mukahhal nuk dha shumë informacione personale nga frika e dëbimit.

“Nuk isha e sigurt se cilat ishin pasojat. Nuk e dija se çfarë mund të më ndodhte. Të them të drejtën isha e frikësuar. Dhe unë nuk e kisha gjetur atë mbështetje të komunitetit për të cilën kisha nevojë. Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga intervista e parë”.

Zonja Mukahhal tani flet hapur për historinë e saj, pjesërisht falë premtimit të Presidentit Obama për të ndaluar dëbimin e emigrantëve të paligjshëm si ajo.

“Isha pak e befasuar, por më së shumti skeptike, tani jam më optimiste”.

“Vetë fakti që presidenti e bëri këtë premtim është shumë i rëndësishëm”.

Anthony Orum është profesor në Qendrën për Hulumtime Urbane në Universitetin Loyola në Çikago.

“Unë e kuptoj skepticizmin, pra a do të zbatohet kjo masë? Nëse kongresi do të punonte më mirë, projektligji “DREAM ACT” do ishte miratuar, por gjërat janë në stanjacion që nga viti 2009. Presidenti duhej të bënte diçka”.

Profesori Orum thotë se njoftimi i presidentit ka të ngjarë të ndihmojë përpjekjet e tij për t’u rizgjedhur në Florida dhe shtetet e tjera me popullsi të mëdha imigrantësh.
Por zonja Mukahhal thotë se vetëm njoftimi për këtë politikë nuk do ta ndihmojë atë. Ajo përballet me një gjykatës federal në Çikago në shtator, i cili do të vendosë nëse ajo mund të kërkojë azil politik për të penguar deportimin e saj në Jordani.

“Unë kam aplikuar për azil bazuar në faktin se jam palestineze me shtetësi jordaneze. Në një raport të Human Rights Watch thuhet se ka të dhëna se palestinezëve që janë kthyer në Jordani u është hequr shtetësia jordaneze”.

Zonja Mukahhal shpreson që politika e presidentit Obama do të zbatohet deri atëherë, gjë që mund ta ndihmojë atë të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara nëse asaj i refuzohet kërkesa për azil.
XS
SM
MD
LG