Lidhje

Imigrantët e paligjshëm përballen me masa të reja të rrepta


Imigrantët e paligjshëm përballen me masa të reja të rrepta
Imigrantët e paligjshëm përballen me masa të reja të rrepta

Qeveria amerikane po shqyrton urdhrat për deportimin e mijëra emigrantëve të paligjshëm në dy qytete, në një kohë debatesh të ashpra për këtë çështje në nivelet e qeverisjes federale dhe lokale. Vitin e kaluar fiskal, 396 mijë emigrantë të paligjshëm, një numër rekord, u dëbuan nga Shtetet e Bashkuara dhe 300 mijë raste të ngjashme janë ende të pazgjidhura.

Qyteti port i Baltimorës në Marilend është një nga qytetet ku autoritetet federale të imigracionit po përpiqen të identifikojnë mënyra të reja për t’u bërë ballë numrit të madh të çështjeve lidhur me urdhërat e deportimit.

Qyteti tjetër është Denver i Kolorados. Në të dyja vendet, emigrantët e paligjshëm që nuk kanë kryer krime të dhunshme mund të lejohen të qëndrojnë, ndërsa çështjet e imigrantëve të paligjshëm që kanë kryer krime serioze, mund të përshpejtohen.

Republikani i dhomës së delegatëve të Merilendit, Pat McDonough, është i pakënaqur me këtë eksperiment që është në fuqi deri në mes të janarit.

Së fundmi ai ka shkruar një koment në një gazetë, duke thënë se Baltimora është kthyer në atë që ai e quan “qytet amnistie”.

Kjo metodë është si magnet dhe nxitje për ata që qëndrojnë në vend ilegalisht, që të dynden në masë në Baltimorë. Një gjë e tillë ka pasoja”.

McDonough thotë se pasojat përfshijnë rritjen e kostos për shërbimet e përkthimit, rritjen e ngarkesës për dhomat e urgjencës që duhet të mjekojnë imigrantët e paligjshëm pa sigurime shëndetësore, papunësi më të lartë mes banorëve me dokumenta të rregullta dhe kërcënime ndaj sigurisë publike.

Agjencia e Imigracionit dhe Doganave tha se nuk po bënte intervista për shqyrtimin e rasteve të emigracionit.

Në një njoftim me email, agjencia shprehet se po përpiqet që t’i përqendrojë burimet e imigracionit në shqyrtimin e atyre që janë paditur për vepra penale, ata që kanë kaluar kufirin dhe ata që i konsideron shkelës të rëndë të ligjit.

Aktivistët pro imigrantëve janë ankuar se shumë imigrantë të paligjshëm po dëbohen, në një përpjekje të nxituar të agjencisë për të përmirësuar statistikat dhe për të marrë më shumë fonde.

Mary Giovagnoli, drejtorja Qendrës për Politikat e Imigracionit në Uashington, e quan nismën e tanishme të dy qyteteve vetëm një hap në drejtimin e duhur.

“Një reformë madhore do të ishte e ngatërruar dhe si çdo çështje madhore sociale, nuk e zgjidh dot menjëherë. Në këtë kuptim nuk është shumë ndryshe nga lëvizja e të drejtave civile, apo ajo për të drejtën e votës, apo çështje të tjera për të cilat u deshën vite të tëra për t’u zgjidhur sepse po përpjeket bëhen që njëkohësisht të ndryshohen ligjet, por edhe mënyrën e të menduarit”.

Rishikimi vjen në një kohë kur ligjvënësit në gjithnjë e më shumë shtete amerikane po miratojnë ligje të rrepta kundër emigracionit.

Por qeveria federale po bën qëndresë edhe në këtë drejtim, duke përdorur sfida në sistemin gjyqësor dhe duke thënë se ka autoritet ekzekutiv për sistemin e emigracionit.

Ka pasur gjithashtu edhe protesta nga ata që janë në favor të një numri më të vogël deportimesh. Në shtete si Alabama, udhëheqësit e të drejtave civile kohët e fundit marshuan për të protestuar ndaj ndarjes së familjeve, pasi muajt e fundit imigrantë të paligjshëm janë kthyer mbrapsht, duke u ndarë nga fëmijët e tyre që janë qytetarë amerikanë.

Aktivistë në qytete të tjera si Iowa, po bëjnë edhe më shumë, duke kërkuar që ta bëjnë këtë qytet universitar të parin në shtetin e Iowas që të jetë si strehë për të mbrojtur emigrantët e paligjshëm nga ligji federal për emigracionin.

Mbi 30 qytete në Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur këtë rrugë, ku disa i ndalojnë zyrtarët që të pyesin për statusin e tyre të emigracionit. Aktivistët thonë se kështu kursehen fondet e qytetit, duke forcuar njëkohësisht ndjenjën e komunitetit, qëndrime që kundërshtarët e palëkundur të emigracionit të paligjshëm mendojnë se janë indinjuese.

XS
SM
MD
LG