Lidhje

Imigrantët e Pranverës Arabe të bllokuar nga kriza ekonomike e Italisë


Imigrantët e Pranverës Arabe të bllokuar nga kriza ekonomike e Italisë
Imigrantët e Pranverës Arabe të bllokuar nga kriza ekonomike e Italisë

Vërshimi i njerzve, që ikin nga Libia në Evropë ka rifilluar pas përmbysjes nga pushteti të Moamar Gadafit në muajin tetor. Që prej kryengritjeve në Libi dhe në Tunizi në fillim të këtij viti, dhjetra mijëra migrantë kanë shkuar në vendet e Mesdheut në kërkim të një jete të re. Por realiteti i krijimit të një jete të re në Evropë është shpesh një rrugë e gjatë dhe e vështirë për të arritur shpresat dhe ëndrat e këtyre migrantëve.

Banorët e saj e quajnë ‘Getoja’.

Ky qytet me baraka të pista në periferi të Foggias në Italinë jugore ka më shumë se 600 imigrantë.

Rajoni njihet si "Trekëndëshi i Floririt të Kuq", pasi prodhon 35 për qind të domateve të Italisë. Shumica kultivohen dhe mblidhen nga ushtri të tëra imigrantësh çdo vjeshtë.

"Ata flenë në tokë mby dyshekë që i kanë gjetur në rrugë. Shumica e tyre janë të shkatrruar dhe plot me insekte".

Këtë vit, për shkak të krizës ekonomike të Italisë, fabrikat në veriun e pasur të vendit, pushuan nga puna shumë punëtorë, duke detyruar rreth 2 mijë imigrantë që të shkojnë drejt jugut për të kërkuar punë.

Masa më të rrepta mbi imigrantët e paligjshëm bëjnë që më pak fermerë janë të gatshëm t’i marrin ata në punë.

Ato pak vende pune të disponueshme për ta paguajnë rreth 45 dollarë në ditë për punën në fushë nga lindja e diellit në perëndim.

"Ne nuk e dinim që Italia ishte në këtë gjendje. Gjithnjë kishim menduar se në Itali do të gjenim punë dhe do të bënim një jetë relativisht të mirë. Tani e shikojmë se kjo nuk është e vërtetë, por unë nuk mund të kthehem në vendin tim".

Pas fillimit të kryengritjeve në Tunizi dhe Libi në fillim të vitit, dhjetra mijëra imigrantë nga e gjithë Afrika dhe Lindja e Mesme shkuan drejt Evropës.

Qindra janë mbytur gjatë udhëtimit të tyre, megjithatë barkat vazhdojnë të vijnë.

Shumica e atyre që mbijetojnë shkojnë në ishullin e vogël italian të Lampeduzas para se të përhapen në pjesën tjetër të Italisë. Pak prej tyre kërkojnë ligjërisht azil, por shumica qëndrojnë aty ilegalisht.

Mans Nyberg është zëdhënës i zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

“Ata imigrantë që vijnë ilegalisht e gjejnë veten në një situatë shumë të vështirë. Çdo vend ka ligjet e veta mbi imigrantët e paligjshëm, por nëse ata nuk regjistrohen si banorë të vendit, ku mbërrijnë dhe qëndrojnë aty ilegalisht, natyrisht që ata as që nuk mund të aplikojnë për ndonjë beneficion”.

Një grup prej 400 imigrantësh, që përpiqeshin të largoheshin kohët e fundit nga Tripoli u ndaluan nga patrulla libiane. Imigrantët thanë se kapiteni i anijes i mashtroi ata.

“Duket se tani pas përfundimit të luftimeve dhe krizës në Libi, imigrantët kanë filluar përsëri të shkojnë në vendet e Mesdheut. Ne po shikojmë përsëri anije me imigrantë që shkojnë nga Libia në Itali dhe në Maltë. Dhe kjo po ndodh gjatë muajve të dimrit, të cilët janë shumë të rrezikshëm në Mesdhe”.

Italia ka filluar një amnisti për disa imigrantë që punojnë si pastrues dhe kujdestarë për të moshuarit, por jo për imigrantët e paligjshëm si banorët e ‘Getos’.

Pa dokumentat përkatëse dhe thuajse pa të ardhura financiare, ata kanë mbetur të bllokuar, larg vendlindjes dhe larg realizimit të shpresave dhe ëndrës, që i bënë ata të nisnin rrugën e imigrimit drejt Evropës.

XS
SM
MD
LG