Lidhje

Kartë e gjelbër në shkëmbim të investimit


Çfarë kanë të përbashkët një minierë ari në Idaho, një fermë me mullinj me erë në shtetin e Uashingtonit, një kazino e re në Las Vegas dhe zgjerimet e një objekti turistik dimëror në Vermont? Të gjitha janë mënyra investimi për familje të pasura që duan të marrin karta të gjelbra – leje të përhershme qëndrimi. Sipas ligjit amerikan të emigracionit, të huajt e pasur mund të marrin një kartë të gjelbër duke investuar të paktën gjysmë milioni dollarë dhe krijuar të paktën 10 vende pune në Amerikë. Një numër gjithmonë e më i larmishën projektesh po kokurrojnë për të tilla investime. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Tom Banse njofton nga qyteti Seattle.

Kanadezi Jordan Gagner dhe gruaja e tij hasën një problem para disa vitesh. Atyre u duhej të vendoseshin në një vend me një klimë më të thatë. Diçka e ngjashme me atë të Arizonës. Në vështrim të parë, perspektiva e shpërnguljes përtej kufirit dukej e vështirë.

“Profesionet tona si menaxher financash dhe mësues, nuk janë në listën e 10 më të preferuarave për t’u favorizuar me viza pune për në Shtetet e Bashkuara”, thotë Gagner.

Por pastaj ai zbuloi një mënyrë më të thjeshtë. Vizat për investitor emigrant. Ai dhe një numër investitorësh të tjerë të huaj dhanë nga 500 mijë dollarë secili për të ndërtuar një azil të moshuarish në Bellingham të Uashingtonit. Zoti Gagner u vlerësua për hapjen e vendeve të punës në mes të recesionit të fundit. Dhe e gjithë familja mori karta të gjelbra.

Zgjidhjen e gjeti avokati i emigracionit, David Andersson. Ai ka kthyer në biznes lidhjen mes ndërtuesve që kanë nevojë për kapital me kosto të ulët dhe personave me para që duan të marrin statusin e emigrantit.

“Nëse bën një investim të konsiderueshëm me përfitime të konsiderueshme, si për shembull të sjellësh familjen në Amerikë, atëherë një investitor mund të pranojë një fitim më të ulët, sesa një bankë për shembull”.

Andersson ishte pionier në një industri që ai thotë se tani por rritet me hapa të shpejtë. Në fillim këto qendra investimesh merreshin thjesht me kontrata imobiliare. Por tani, alternativat për të huaj të pasur që duan të imigrojnë në Amerikë janë shumë më të larmishme.

Mbi 200 investitorë emigrantë nga Kina po financojnë rigjallërimin e minierave 100 vjeçare të arit në jugperëndim të Idahos.

Veçanërisht në Kinë, nga ku vjen shumica e investitorëve imigrantë, ata që duan t’i hyjnë kësaj rruge bëjnë tani shumë pyetje para se të aplikojnë. Dimrin që kaloi, projekti për një hotel në Çikago që siguroi mbështetjen e qindra aplikantëve për viza, rezultoi se ishte një skemë mashtruese.

Disa investitorë të tjerë kinezë kërkuan kthimin e parave nga organizatori i një projekti për një urë që do të lidhte qytetin Seattle të Uashingtonit me rrethinat e tij lindore. Ata futën para për letra me vlerë për ndërtimin e autostradës shtetërore, por pastaj iu desh të prisnin 20 muaj për të aplikuar për viza për shkak të pasigurive në miratimin e investimit nga zyrtarët federalë.

Pronari i një firme tjetër imigracioni dhe zhvillimi ekonomik me qendër në Lynwood të Uashingtonit mendon se ekziston tregu edhe për investitorët e mullinjve të erës. Kjo firmë ftoi koreanë të pasur që të mbështesnin financiarisht një fermë mullinjsh me erë në shtetin e Uashingtonit.

Por Harland Radomske, që ka një fermë kuajsh dhe lopësh aty pranë, druhet se një fermë mullinjsh me erë do ta pakësonte vlerën e fermës së tij. Por jo vetëm kaq:

“Ajo që më indinjon është edhe fakti që është gjithë ky debat për emigracionin, për kufirin me Meksikën, çështje që shtrohen në Kongres. Dhe papritur ne zbulojmë që nëse je një i huaj i pasur, mund ta blesh procesin e shtetësisë”.

Megjithë debatet e përgjithshme për emigracionin, programi i investitorëve të huaj gëzon mbështetje të gjerë në Kongres. Një projekt-ligj që u miratua në senat dhe ka kaluar për shqyrtim në Dhomën e Përfaqësuesve, do ta bënte të përhershëm këtë program.

Programi i investitorëve emigrantë ka një numër të kufizuar prej 10 mijë vizash. Asnjëherë nuk është arritur kjo shifër deri tani. Por parashikimi është se vitin që vjen ky maksimum mund të arrihet.
XS
SM
MD
LG