Lidhje

Gjendja e imigrantëve në Izmir


Në Turqi, banorët në qytetin port të Izmirit thonë se fluksi i imigrantëve po krijon tensione dhe po ngre çmimet. Reagimet vijnë ndërsa mes udhëheqësve të BE-së dhe Ankarasë, po diskutohet një marrëveshje paraprake për të frenuar fluksin e imigrantëve, marrëveshje që do të kërkonte nga Turqia pranimin e refugjatëve që kalojnë në Evropë përmes tokës turke.

Turqit në qytetin bregdetar të Izmirit thanë sot se do të donin të shihnin refugjatët “të grumbulluar” në një vend dhe e quajtën “të pakuptimtë” ndalimin e tyre ndërsa udhëheqësit e BE-së dhe Ankarasë njoftuan një projekt-marrëveshje që do ta bënte më të vështirë kalimin e refugjatëve nga Turqia për në Greqi.

Banorët turq dhe refugjatët sirianë në lagjen e varfër Basmane shprehin pikëpamje të ndryshme për marrëveshjen paraprake. Ibraim Abdulhamid Ivaki, imigrant sirian që ka mbërritur në Turqi 20 ditë më parë me gruan dhe katër fëmijët e tij, thotë se Evropa është ende synimi i tij përfundimtar.

“Dëshira ime është të shkoj në Evropë. Të gjitha vendet dhe presidentët e tyre po shohin interesat e veta për të marrë para në kurriz të popullit sirian. Dua të shkoj me familjen time në Evropë”

Basmane është bërë qendër e refugjatëve sirianë që flenë në parqe dhe xhami ndërsa hotelet janë të mbushura. Duke mos pasur ku të shkojnë, shumë prej tyre janë detyruar të strehohen në vende publike dhe hotele të lira në pritje të një mundësie për të shkuar në ishujt grekë. Turqit ankohen se fluksi i imigrantëve sirianë ka rritur çmimet.

“Do të doja që të gjithë sirianët të largohen. Do të doja që të grumbulloheshin diku. Qiratë tona janë shtrenjtuar. Çmimet e ushqimeve janë rritur. Është shumë e vështirë për ne” thotë Meral Ergunes.

Armagan Gulçiçek, një tjetër banor i Izmirit thotë se duhet të bëhet gjithçka e mundur për të zgjidhur krizën e imigrantëve.

"Të gjithë refugjatët duhet të grumbullohen dhe të çohen në një vend të vetëm dhe kjo do të ishte zgjedhja ime. Kjo situatë e pakuptimtë duhet të ndalet".

Atë që kryeministri turk Ahmet Davutoglu e quajti një plan ndryshues për Turqinë për të rikthyer me forcë jo vetëm emigrantët ekonomikë që arrijnë të shkojnë në ishujt grekë përmes brigjeve turke, por edhe refugjatët sirianë, të cilët më pas do të kishin disavantazhe, është veprimi më i fortë deri tani nga Ankaraja për të ndryshuar situatën. Nëse plani miratohet dhe nëse ai funksionon, atëherë një udhëtim mbrapsht për në Turqi do të ishte shumë më i favorshëm se sa një udhëtim i rrezikshëm për një jetë më të mirë në Gjermani.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët paralajmëroi se Evropa nuk duhet të mbyllë dyert për njerëzit në nevojë, ndërsa lufta civile në Siri ka lënë miliona vetë të pastrehë dhe të frikësuar.

XS
SM
MD
LG