Lidhje

Gjendja e imigrantëve në kufirin me Greqinë


Ndërsa Maqedonia ka mbyllur kufijtë e saj për imigrantët e paligjshëm, policia greke tha se asnjë imigrant nuk ka kaluar nga Greqia për në Maqedoni gjatë 48 orëve të fundit duke ndalur edhe ata pak që mundën të kalojnë gjatë javëve të fundit dhe duke i lënë imigrantët pa kurrfarë ideje se çfarë duhet të bëjnë.

Zyrtarët e policisë greke thanë sot se asnjë imigrant nuk ka kaluar në Maqedoni nga Greqia në pikëkalimin e Idomenit gjatë 48 orëve të fundit, duke bllokuar me mijëra imigrantë. Pak orë më vonë, një zyrtar i policisë i cili nuk pranoi të identifikohej i tha agjencisë Reuters se Maqedonia kishte mbyllur plotësisht kufijtë e saj për imigrantët e paligjshëm pasi Sllovenia dhe Serbia njoftuan kufizime të reja për hyrjen e imigrantëve.

Më shumë se 14,000 imigrantë në Idomeni kaluan një tjetër ditë nën shirat e rrëmbyer dhe të ftohtin.

Imigrantët shprehën tronditje për faktin që askush nuk pati një zgjidhje për gjendjen e tyre nga një takim i udhëheqësve të Bashkimit Evropian me Turqinë.

Të nervozuar nga mbyllja e kufijve, shumë prej tyre thanë se nuk e dinë se ç’do të bëhet me ta.

"Në fakt ne po prisnim që Gjermania të bënte diçka, pasi kështu ndodhin gjërat normalisht. Dëgjuam nga takimi në Evropë se Merkeli tha se asnjë kufi nuk do të mbyllet dhe kjo është arsyeja që po presim. Në të kundërtën na thoni çfarë të bëjmë, ku të shkojmë," thotë Ahmed nga Damasku.

"Do të doja të vdisja këtu. Nuk kthehem në Damask pasi atje më kërkojnë. Ata i detyrojnë të rinjtë të luftojnë në ushtri. Ose do të vrasin ose do të vrasësh dhe unë nuk dua të bëj asnjë nga këto," thotë ai.

"Kufiri është mbyllur dhe nuk e dimë kur do të hapet. Jemi të lodhur, shumë të lodhur dhe nuk e dimë çfarë do të bëjmë," thotë Riab nga Homsi.

Vendimet për të kufizuar edhe më tej rrugët e ndjekura nga më shumë se një milion refugjatë vitin e kaluar, u njoftuan disa orë pasi drejtues të BE-së deklaruan ndalimin e fluksit masiv të imigrantëve që kërkojnë të arrijnë vendet e pasura të Evropës.

Drejtuesit e BE-së ranë dakord në Bruksel të hënën se vendet anëtare duhet të zbatojnë rregullat e kufijve të hapur të Shengenit.

Kjo do të thotë se Sllovenia do të pengojë kalimin e imigrantëve, përveç atyre që planifikojnë të kërkojnë azil në vend ose që kërkojnë hyrje për arsye humanitare, e që do të vlerësohen në mënyrë individuale. Serbia, vend jo anëtar i BE-së tha se vendimi i Sllovenisë do të thotë "mbyllje të rrugës së Ballkanit" për imigrantët.

Kroacia konfirmoi të martën se do të aplikojë që nga mesnata rregulla të reja. Pra, vetëm ata që udhëtojnë me dokumente të vlefshme dhe viza do të lejohen të hyjnë në vend.

Të paktën 36,000 njerëz janë të bllokuar në pjesë të ndryshme të Greqisë, sipas shifrave të fundit të qeverisë, si pasojë e mbylljeve të kufirit në veri.

Turqia dhe Greqia premtuan bashkëpunim të ngushtë të martën për planin që i kthen mbrapsht imigrantët e refuzuar nga Evropa.

Drejtuesit e BE-së arritën një marrëveshje me kryeministrin turk Minister Ahmet Davutoglu në Bruksel që i jep Ankarasë më shumë fonde për të mbajtur refugjatët në Turqi.

Amnesty International e quajti propozimin për kthimin e imigrantëve "goditje për vdekje ndaj së drejtës për të kërkuar azil". Organizata Mjekët Pa Kufi tha se marrëveshja ishte cinike dhe çnjerëzore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG