Lidhje

Udhëtimi i emigrantëve përmes Evropës


Emigrantë nga Afrika përshkojnë më këmbë disa vende përmes Ballkanit drejt Evropës. Agjensia e lajmeve Associated Press iu bashkua një grupi emigrantësh për të regjistruar sfidat e tyre përgjatë Ballkanit Perëndimor. Që nga viti 2011, ky është shndërruar në shtegëtimin më të rrahur drejt Evropës, krahas opsionit të lundrimit nga Afrika Veriore drejt Italisë.

...Emigrantë nga Afrika Perëndimore ecin përgjatë shinave, me shpresën për një jetë më të mirë. Gjatë udhëtimit ilegal u duhet të shmangin trenat që kalojnë, si dhe policinë. E ndërmarrin këtë rrezik për të filluar një jetë të re dhe një punë në Evropën Perëndimore.

Agjencia kufitare e BE-së, Frontex, e cila ndihmon policitë kufitare të vendeve anëtare, thotë se asgjë nuk i zmbraps emigrantët për të vazhduar këtë shtegëtim që fillon nga Greqia veriore. Janë numëruar më shumë se 43 mijë emigrantë ilegalë përgjatë Ballkanit Perëndimor në vitin 2014, më shumë se dyfish krahasuar me një vit më parë. Viti 2015 ka arritur një rekord të ri, me 22 mijë persona të konfirmuar që kanë mbërritur gjatë vetëm pak muajve në Hungari.

Një grup me 43 burra, gra dhe fëmijë, kanë paguar 500 dollarë për këtë udhëtim drejt Evropës. Shumica janë frankofonë nga Bregu i Filfishtë, Mali, Kameruni, dhe Burkina Faso. Pak prej tyre janë nigerianë anglishtfolës, si dhe një kongolez të cilit prindërit i kanë vënë emrin Fidel Castro. Shumë prej tyre mendojnë se nuk kanë zgjidhje tjetër.

Jean Paul Apetey, një 34-vjeçar nga Bregu i Fildishtë, iu kërkua nga trafikantët turq të drejtojë një varkë me 47 emigrantë drejt Greqisë, dhe ai e mori menjëherë përsipër pavarësisht se nuk e ka bërë kurrë më parë.

Trafikantët nuk hipin vetë në këto varka, dhe vetëm i tregojnë atij drejtimin për në një ishull që shfaqet në largësi. Ai nuk ka hartë dhe nuk e di se në cilin prej ishujve grekë kanë arritur në vetëm 17 minuta udhëtim:

“Duhet shumë kurajo të bësh këtë udhëtim me rreziqe nëpër Evropë. Për të arritur në Francë duhet të ecësh me këmbë për shumë kohë.”

Udhëtimi i tyre më këmbë fillon nga porti grek i Selanikut. Trafikanti që i shoqëron kërkon të mbetet anonim për kamerat dhe grupi kalon më tej ilegalisht nga Maqedonia për në kufirin serb. Një tjetër grup trafikantësh i merr drejt Hungarisë. Hungaria është pikë kyçe pasi është anëtare e Bashkimit Evropian, dhe prej aty mund të arrijnë pa viza në vende më të pasura, si Gjermania dhe Franca.

Gratë dhe fëmijët janë veçanërisht të rrezikuar, thotë Fidel Castro Chimana:

“Shikojini gratë dhe burrat e moshuar që ecin më këmbë. Unë jam i ri dhe mund të eci më kollaj.”

Një pjesë e grupit kapen nga policia pasi kanë ecur rreth 150 kilometra dhe deportohen për në Greqi. Ata që nuk kapen vazhdojnë për rreth tetë ditë të tjera në kushte të vështira të motit:

“Udhëtimi ka qenë tepër i vështirë. Po ta dija që do të ishte kaq i vështirë nuk do ta kisha bërë. Nuk ecet kështu,” thotë zonja Djeukam.

Pjesa më e madhe e udhëtimit në Maqedoni bëhet gjatë natës për të shmangur kapjen nga policia. Pavarësisht përpjekjeve të tyre, shumica e grupit kapet dhe vetëm 10 prej tyre arrijnë të kalojnë në Serbi. Trafikantët rikthehen drejt Greqisë për të vazhduar me grupe të tjera që i hasin rrugës.

Shumica e emigrantëve përpiqen disa herë megjithëse kapen dhe rikthehen në Greqi edhe pesë herë rrjesht. Një pjesë e madhe përfundojnë në streha azilesh pa dritare, dhe pa orendi shtëpiake.

XS
SM
MD
LG