Lidhje

Ndizen ndjenjat kundër imigrantëve në Gjermani

  • Henry Ridgwell

Tubimet anti-imigracionit në Gjermani janë intensifikuar, duke arritur kulmin në hënën në Dresden ku dhjetëra mijëra vetë dolën në demonstrata kundër atij që e shohin si islamizim të Perëndimit. Gjermania u ka ofruar azil më shumë refugjatëve sirianë se çdo vend tjetër dhe duket se ky fakt ka nxitur protestat e fundit.

Kritikët i etiketojnë protestuesit si nazistë me rroba civile. Por radhët e protestave po shtohen. 15 mijë vetë iu bashkuan marshimit në Dresden, në kuadër të lëvizjes së vetë-shpallur Evropianët Patriotë kundër Islamizimit të Perëndimit.

Protestuesit brohorasin “Ne jemi Populli”, një frazë e përdorur nga gjermanët që dolën në protesta 25 vjet më parë, në prag të rrëzimit të Murit të Berlinit. Këtë radhë protestuesit shprehen se Gjermania po uzurpohet nga islami.

“Po ndodh islamizimi, po ndodh në shkolla, në çerdhe, në vende ku s’lejohet të përfshihen gjellë me mish derri në menu. Nuk duam që njerëzit të jenë nën presione të tilla”, thotë një prej tyre, Lana.

Protestat janë përhapur edhe në qytete të tjera gjermane, përfshirë Berlinin. Lutz Bachmann është themeluesi i lëvizjes.

“Sot kemi treguar përsëri se mund të sillemi si njerëz të pjekur, se mund të bëjmë zgjedhjen e duhur dhe duke ecur ngadalë mund të ndryshojmë situatën në vend”.

Analistët thonë se lëvizjet e ekstremit të djathtë me thirrjet anti-imigracionit kanë ekzistuar prej kohësh në Gjermani. Por shkaku për protestat duket se ishte vendimi i Berlinit për t’u ofruar azil dhjetëra mijëra sirianëve që janë larguar për t’i shpëtuar luftës civile. Ahmed Khawan është një ndër ta. Autoritetet i kanë dhënë banesë pranë Frankfurtit. I biri, i lindur i shurdhët, është mjekuar këtu dhe tani dëgjon.

“Së pari, faleminderit Zotit. Së dyti, faleminderit Gjermanisë. Ka shumë njerëz që vijnë nga Siria ilegalisht. Por Gjermania e ka bërë të mundur të vijmë në mënyrë paqësore”.

Gjermania duhet vlerësuar që ka ofruar strehim për gati gjysmën e refugjatëve sirianë të akomoduar nga komuniteti ndërkombëtar, thotë Sherif Elsayed-Ali i organizatës Amnesty International:

“Gjermania ka dhënë qindra miliona dollarë ndihma humanitare. Por njëkohësisht është zotuar të akomodojë 30 mijë vetë përmes programeve humanitare dhe të strehimit. Kjo është afro gjysma e totalit global”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka paralajmëruar gjermanët të mos manipulohen nga retorika e ekstremit të djathtë.

“Në Gjermani ekziston e drejta e grumbullimit, por nuk ka vend për agjitacion dhe gënjeshtra për njerëzit që kanë ardhur nga vende të tjera. Të gjithë duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të mos manipulohen nga organizatorët e tubimeve të tilla”.

Në përgjigje të këtyre demonstratave janë zhvilluar edhe tubime me thirrjet për tolerancë si ky grumbullim në Këln. Për shumë gjermanë, aktivitete të tilla sjellin kujtime të pakëndshme të historisë naziste të vendit në shekullin XX.

XS
SM
MD
LG