Lidhje

Kriza e imigrantëve mes Greqisë e Maqedonisë


Në Kufirin e Maqedonisë me Greqinë vazhdon të mbizotërojë një gjendje e rëndëuar me rreth 10 mijë imigrantë të grumbulluar nga ana greke në pritje për t’u lejuar të hyjnë në Greqi. Presidenti i Komisionit Europian Donald Tusk u bëri thirrje vendeve anëtare të BE të punojnë së bashku për zgjidhjen e krizës së imigrantëve, duke thënë se mungesa e unitetit po dëmton besimin mes tyre.

Presidenti i Komisionit Evropian paralajmëroi imigrantët se rreziku i udhëtimit në Evropë nuk ja vlen. Pas një takimi me kryeministrin e Greqisë Alexis Tsipras sot në Athinë, zoti Tusk u bëri thirrje imigrantëve të paligjshëm të qëndrojnë larg Evropës:

"Mos hajdeni në Evropë. Mos u besoni kontrabandistëve. Mos rrezikoni jetën dhe kursimet tuaja. Nuk ia vlen. Greqia apo çdo vend tjetër evropian nuk do të jetë më vend tranziti", - tha zoti Tusk.

Situata në kufirin e Maqedonisë me Greqinë vazhdon të jetë e rënduar. Mijëra emigrantë presin të hyjnë në Greqi për të vazhduar më tej udhëtimin drejt vendeve të Evropës veriore. Autoritetet maqedonase lejojnë shumë pak të kalojnë.

Imigrantët thonë se autoritetet maqedonase po i kthejnë pas për shkak se dokumentet e tyre kanë një vulë nga policia greke, që nuk pranohet nga Maqedonia.

Shqetësime kanë filluar të ndjehen edhe në Shqipëri, pasi mbyllja e kufirit të Maqedonisë, mund t’i detyrojë emigrantët të kalojnë nga Shqipëria. Zyrtrja e lartë e BE Federica Mogherini pritet të diskutojë sot në mbrëmje me autoritetet shqiptare në Tiranë për çështjen e refugjatëve. Çështja e emigrantëve kërkon një zgjidhje gjithë-evropiane, tha sot ministri i Brendshëm i Shqipërisë Saimir Tahiri, në prag të një vizite në Itali ku nesër pritet të takohet me homologun italian për të diskutuar rreth rrezikut të imigrantëve:

“Ne jemi përgatitur për të gjitha. Besojmë që asnjë vend i vetëm nuk ia del dot kësaj krize, që është sa humanitare, ashtu edhe krizë reale e marrëdhënieve të shteteve tona, të vendeve tona me njerëz që ikin nga arenat e luftës. Nuk besoj se asnjë vend i vetëm nuk ia del dot, kështu që duhet bashkëpunim. Nuk ka vend për asnjë lloj alarmi. Ne jemi të përgatitur dhe mbi të gjitha po koordinojmë ngushtësisht me partnerët”.

Në kufirin e Greqisë me Maqedoninë, ndodhen rreth 10 mijë emigrantë të bllokuar. Një grup prej tyre bllokoi sot një linjë hekurudhore për të protestuar ndaj refuzimit të Maqedonisë për t’i lejuar të vazhdojnë rrugën e tyre në Evropën Perendimore:

"Ne nuk duam asnjë tjetër, vetëm të kalojmë. Ne po ngrijmë nga të ftohtit. Ne nuk jemi kafshë, jemi njerëz. Në këto tenda ka fëmijë. Ne erdhëm në Evropë pasi menduam se Evropa është vendi i humanizmit. Shikoni këtu. Ne jemi të rritur por shikoni fëmijët", thotë një refugjat.

Autoritetet maqedonase kanë thënë se do të lejojnë aq imigrantë sa mund të pranojë shteti tjetër tranzit, Serbia.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG