Lidhje

Shqiptarët, shumica e të huajve në Greqi

  • Raimond Kola

Emigrantët shqiptarë përbëjnë pjesën dërrmuese të të huajve në Greqi. Ministria e Brendshme greke ka njoftuar të dhënat që lidhen me zbatimin e Ligjit të Ri të emigracionit, ku vlerësohet se rreth 384.000 shqiptarë kanë përfituar Lejet e Qëndrimit, nga rreth 553.000 emigrantë të huaj që ndodhen gjithsej në Greqi.

Në numrin e përgjithshëm të shqiptarëve përfshihen edhe rreth 43 .000 emigrantë shqiptar që kanë fituar shtetësinë greke. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme greke kategoria e emigrantëve që ka përfituar më në masë të madhe nga Lejet e Qëndrimit është ajo e Bashkimit Familjar. Kështu, në numrin e përgjithshëm rreth 120.000 emigrantë kanë marrë Lejet e Qëndrimit për Bashkim Familjar dhe rreth 92.000 janë pajisur me Leje Afatgjata dhjetëvjeçare.

Procesi i pajisjes me lejet e qëndrimit për shqiptarët vijon në Greqi, ndërkohë që emigrantët ankohen për vonesa të mëdha të autoriteteve. Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi, tha përmes një deklarate se “ndiqte me interes të madh çështjen e legalizimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi me kontakte të shpeshta me autoritetet”. “Federate konstaton , thuhet në deklaratë ,se, pavarsësisht lehtësimeve që ofron legjislacioni aktual, numri i emigrantëve të ligjshëm nuk është rritur ndjeshëm”. “Pengesat vijnë , sipas Federatës, për pasojë të burokracive të mëdha dhe të mos-koordinimit të vetë administratës greke, e kryesisht të Drejtorive të Decentralizuara ku vërehen zvarritje të “pakuptimta” në mospërputhje me ligjin.

Pas ankesave të vazhdueshme të emigrantëve shqiptarë të bëra kohët e fundit për këto vështirësi dhe për çështje që kanë të bëjnë me Lejet e Qëndrimit, Ministria e Brendshme greke caktoi ditët e fundit një linjë të posaçme telefonike për komunikimin e emigrantëve. Sipas njoftimit të Ministrisë greke kjo linjë do të shërbejë prej orës 9 të mëngjesit deri në orën 14 të ditëve të punës së administratës greke për të caktuar datën e dorëzimit të aplikimeve për marrje apo rinovim të Lejes së Qëndrimit. Autoritetet greke kanë premtuar se pas muajit prill, do të vënë në funksion me kapacitet të plotë një sistem elektronik shërbimesh ndaj emigrantëve për t`u dhënë fund vonesave.

Ndërkohë, edhe autoritetet shqiptare kanë hedhur së fundi hapa për regjistrimin e emigrantëve shqiptarë jashtë vendit. Në mesin e shkurtit të këtij viti Parlamenti shqiptar miratoi Ligjin “Për regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë”, i cili parashikon detyrimin e regjistrimit të adresës brenda 6 muajve nga cdo emigrant shqiptar. Ligji parashikon se nëse kjo nuk bëhet autoritetet do t’i refuzojnë shërbimet e kërkuara. Shqipëria ende nuk ka një regjistër të shtetasve të saj që jetojnë jashtë kufijve të vendit.

Në të gjitha proceset zgjedhore të viteve të fundit emigrantët shqiptare nuk kanë pasur të drejtën dhe mundësinë të votojnë jashtë vendit. Subjektet politike shqiptare i janë drejtuar gjatë fushatave si për zgjedhjet parlamentare dhe vendore, kryesisht emigrantëve në Greqi dhe Itali, për t`u kthyer dhe për të votuar ditën e zgedhjeve në Shqipëri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG