Lidhje

Fluksi i emigrantëve në Suedi

  • Luis Ramirez

Ndërkohë që ministrat e brendshëm të vendeve të Bashkimit Evropian u takuan dje në Bruksel për të diskutuar një strategji të përbashkët për trajtimin e krizës së emigrantëve, Suedia u bëri thirrje vendeve të tjera që të marrin më shumë emigrantë të sapoardhur. Zyrtarët suedezë thonë se janë të mbingarkuar nga ardhja e më shumë se 1,000 azilkërkuesve çdo ditë. Shumë emigrantë duan të shkojnë në këtë vend skandinav për shkak të premtimeve për strehim, ndihmë sociale dhe vende pune.

Në qendrën e imigracionit në Suedi, zyrtarët çdo mëngjes kontrollojnë numrin në rritje të personave që aplikojnë për azil.

Mikael Ribbenvik, Agjencia Suedeze për Migrim:

"Është një prirje që po shkallëzohet. Normalisht gjatë verës ka një rritje të numrit të azilkërkuesve, kemi rreth 2,000 kërkesa në javë për azil. Por ditët e fundit, kemi pranuar 1,000 në ditë".

Suedia, e njohur për bujarinë e saj ndaj emigrantëve, po ndihet e mbingarkuar. Në stacionin qendror të Stokholmit, vullnetarët punojnë me turne 20-orëshe për t’u ofruar ushqim dhe kujdes mjekësor emigrantëve.

Charlotta Didriksdotter, Vullnetare e Kryqit të Kuq:

"Shumica e tyre kërkojnë informacione për të udhëtuar drejt Finlandës. Disa prej tyre duan të qëndrojnë këtu në Suedi dhe ne i drejtojmë ata tek autoritetet e duhura".

Suedia ka qenë destinacion i preferuar për emigrantët, por kjo ka ndryshuar pas përhapjes së informacionit se shqyrtimi i kërkesave për azil mund të zgjatë një vit.

Charlotta Didriksdotter, Vullnetare e Kryqit të Kuq:

"Disa prej tyre duan strehim vetëm për një natë, thjesht për të menduar mbi vendimin që do të marrin."

Kjo xhami është strehë e këtij mësuesi i cili u largua nga Siria pasi forcat qeveritare bombarduan shtëpinë e tij. Ai e ka vendosur se ku do të shkojë.

Adnan Bazaa, refugjat sirianë:

"Do të shkoj në Finlandë sepse atje mund të marrësh të drejtën e banimit më shpejt se sa në Suedi. Në Finlandë, ndoshta do të duhen katër muaj për të marrë dokumentet për familjen ndërsa në Suedi duhen katër vjet".

Askush nuk mund t’i konfirmojë këto informacione, pasi Finlanda ende nuk ka pranuar të rrisë kuotat e pranimit të refugjatëve.

Për këta refugjatë, radhët e pritjes vazhdojnë të zgjaten.

XS
SM
MD
LG