Lidhje

Debati mbi imigracionin i rëndësishëm për komunitetin e San Diegos

  • Michael O'Sullivan

Presidenti Barak Obama dhe udhëheqësit e senatit amerikan shpresojnë ta reformojnë sistemin e imigracionit dhe të zgjidhin statusin e më shumë se 11 milionë imigrantëve të paligjshëm që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Kjo është çështje e rëndësishme për këtë rajon kufitar pranë San Diegos, në të cilin banorët e ligjshëm punojnë së bashku me imigrantët e paligjshëm.

Rosa Maria Mendoza thotë se është kthyer vullnetarisht në vendin e saj. Ajo ka jetuar në Shtetet e Bashkuara për 12 vjet, por u kthye vullnetarisht në Meksikë për të gjetur punë. Zonja Mendoza ka lënë pas djalin e saj 15-vjeçar dhe vajzën 18-vjeçare të cilët duan të qëndrojnë në Kaliforni me gjyshen e tyre.

“Është një situatë e vështirë. Unë nuk di se si ta menaxhoj situatën. Por unë e di se ata e duan këtë vend dhe unë do ta respektoj dëshirën e tyre”.

San Diego ndodhet afër kufirit meksikan të rrethuar me një gardh masiv dhe masa të larta sigurie. Siguria është e nevojshme, thotë ish-ligjvënësi Duncan Hunter.

“Programi për sigurinë kufitare tregon disa gjëra. Së pari dërgon sinjalin se nëse doni të vini në Amerikë, duhet të trokisni në derën e përparme”.

Shumë njerëz nga Amerika Latine kanë hyrë në vend në mënyrë të paligjshme si fëmijë së bashku me prindërit e tyre.

Wendy Romero është një nga 1,7 milionë të rinjtë të cilët kualifikohen për një program i cili shmang deportimin e imigrantëve të paligjshëm të cilët kanë hyrë në vend si fëmijë. Ky program u njoftua nga administrata e presidentit Obama në qershor të vitit të kaluar.

Ajo tani është e sigurt se nuk do të deportohet.

Edhe studentja e universitetit shtetëror të San Diegos Maria Estrada do t’i shpëtojë deportimit.

“Kjo masë ka ndryshuar mënyrën e të menduarit të shumë të rinjve të cilët janë pa dokumente dhe na ka dhënë shumë shpresë që na ka munguar për një kohë të gjatë”.

Mendohet se shumica e punëtorëve që punojnë në fermat bujqësore të Kalifornisë janë kryesisht pa dokumente ose me dokumenta të falsifikuara, thotë Eric Larson, zyrtar i Byrosë së Fermave në San Diego.

“Megjithëse ata mund të jenë pa dokumente, ne do të donim shumica e tyre të qëndrojnë në vend. Ata janë shumë të aftë dhe të përgatitur për punë”.

Çdo vit qindra emigrantë vdesin duke kaluar kufirin. Laura dhe John Hunter, vëllai i ish-ligjvënësit republikan, drejtojnë një grup të quajtur Stacioni i Ujit të cilët dërgojnë ujë në shkretëtirë për emigrantët.

Laura ka lindur në Meksikë dhe thotë imigrantët e paligjshëm duhet të pajisen me dokumenta.

“Ata duhet të kenë mundësinë për t’u bërë shtetas amerikanë, dhe të fitojnë të ardhura për familjet e tyre”.

Ndërkohë që imigrantët e paligjshëm presin deportimin në një qendër të paraburgimit në veri të këtij rajoni, përkrahësit e kësaj çështje si familja Hunters thonë se politikanët duhet të gjejnë një zgjidhje për këtë problem.

“Ne kemi nevojë për punëtorë. Këta njerëz nga Meksika dhe vende të tjera kanë nevojë për punë, kështu që duhet të ketë mënyra legale për të kënaqur të dyja palët”.

Të tjerët thonë se duhet të respektohen edhe të drejtat e atyre që po presin në radhë për të emigruar në mënyrë të ligjshme dhe kufiri duhet të jetë i sigurt. Por Kongresi është i ndarë dhe udhëheqësit e dy partive thonë se gjetja e një zgjidhjeje për këtë çështje nuk do të jetë e lehtë.
XS
SM
MD
LG