Lidhje

SHBA: Ndërlikohen përpjekjet për reformën e imigracionit

  • Michael Bowman

Një propozim i administratës Obama, që iu dha fshehurazi mjeteve të shtypit, mund të ketë dëmtuar negociatat delikate me dyer të mbyllura mes ligjvënësve demokratë e republikanë

Fjalë të ashpra në Uashington po nxjerrin në pah sfidën politike kur bëhet fjalë për reformimin e sistemit amerikan të imigracionit. Një propozim i administratës Obama, që iu dha fshehurazi mjeteve të shtypit, mund të ketë dëmtuar negociatat delikate me dyer të mbyllura mes ligjvënësve demokratë dhe atyre republikanë, të cilët po përpiqen të hartojnë një projektligj gjithëpërfshirës ndërpartiak.

Çfarë do të ndodhë me mbi 11 milion imigrantët e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara? Një propozim i administratës, që iu dha një gazete amerikane, do të bënte të mundur legalizimin e tyre, çka i hap rrugën marrjes së shtetësisë amerikane.

Por ligjvënësit republikanë janë zemëruar nga propozimi i njoftuar dhe po e akuzojnë Presidentin Obama për minimin e përpjekjeve ndërpartiake në Kongres.

“Duke u dhënë përparësi atyre që vijnë në këtë vend ilegalisht dhe duke mos i kushtuar rëndësinë e duhur sigurisë së kufirit, presidenti më lë të kuptoj se ai është i interesuar për përfitime partiake”, tha ligjvënësi republika, Paul Ryan.

“A do presidenti rezultate, apo ai do një armë tjetër për të goditur republikanët”?, tha senatori republika, John McCain.

Në fakt, zoti Obama e ka paralajmëruar tashmë Kongresin.

“Nëse Kongresi nuk harton një plan brënda një kohe të përshtatshme, unë do t’u dërgoj ligjvënësve propozimin tim”.

Ndërsa ligjvënësit reaguan të acaruar, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë nxituan për t’u përgjigjur.

“Shpresoj që republikanët dhe demokratët në Kongres të mos angazhohen në debate tipike politike të Uashingtonit, por t’i përvishen punës”, tha Shefi i Personelit të Shtëpisë së Bardhë, Denis McDonough.

Përkrahësit e reformës së imigracionit thonë se Amerika ka një mundësi të rallë për të vepruar.

“Për herë të parë në histori, ekziston më shumë rrezik politik në kundërshtimin e reformës së imigracionuit se sa në mbështetjen e saj”, tha senatori demokrat, Charles Schumer.

Ndërkohë kundërshtarët kanë frikë se përpjekjet për reforma do të nxisin më shumë imigracionin e paligjshëm. Jim Gilchrist krijoi një grup qytetarësh, që patrullon kufirin e Amerikës me Meksikën.

“Nëse do t’u japim amnisti 15 deri 30 milionë njerëzve, që ndodhen tashmë ilegalisht në vend, ne do t’u japim amnisti 300 milionë njerëzve, që do të ndjekin rrugën e tyre gjatë dekadave të ardhshme”.

Megjithatë analistët shikojnë një konsensus të ri në Uashington lidhur me reformën e imigracionit.

“Ekziston mendimi i përgjithshëm mbi nevojën e shtimit të masave të sigurisë në kufi dhe nevojën për një verifikim të detyruar punësimi. Ekziston gjithashtu mendimi se duhet bërë diçka me imigrantët pa dokumenta që atyre t’u jepet një farë statusi ligjor”.

Por mosmarrëveshjet lidhur me propozimin e Shtëpisë së Bardhë tregojnë se arritja e një marrëveshjeje nuk është aspak e sigurtë.

“Përpjekjet për refomën e imigracionit mund të dështojnë në çdo moment. Mendoj se debatet e fundit lidhur me propozimin e Shtëpisë së Bardhë dhe reagimi i ashpër i republikanëve tregojnë se sa e vështirë është kjo çështje si dhe faktin se reforma e imigracionit do të mbetet një proces shumë i ndërlikuar dhe i debatueshëm”.

Presidenti Obama ka folur në mbështetje të reformës së imigracionit që kur erdhi në pushtet. Edhe republikanët kanë filluar të flasin më shumë rreth saj që prej zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, të cilat zoti Obama i fitoi me mbështetjen e fortë të votuesve hispanikë dhe aziatikë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG