Lidhje

SHBA, gjykatat dhe fëmijët imigrantë


Numri i madh i rasteve të fëmijëve pa dokumente që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në SHBA ka mbingarkuar gjykatat e imigracionit në të gjithë vendin, sidomos në Miami të Floridas, ku ka rreth 13 mijë çështje të pazgjidhura. Administrata e Presidentit Obama ka urdhëruar që çështjet e fëmijëve të shqyrtohen më parë se ato të të rriturve pa dokumente. Materiali në vazhdim ofron një vështrim të rrallë në punën e brendshme të gjykatës federale të imigracionit. Një avokate imigracioni i tregon Zërit të Amerikës se si rendi i ngarkuar i ditës, në gjykatë, ndikon në jetën e saj dhe atë të fëmijëve.

Avokatja Elizabeth Sanchez Kennedy zgjohet në agim për t’u përballur me një ditë me pasiguri:

"Nuk e di nëse sot do të jetë ditë shumë e ngarkuar apo nëse do të rri ulur gjithë ditën."

Ajo përfaqëson fëmijët në gjykatën e emigracionit të Miamit, ku rastet vetëm shtohen.

Më shumë se 4 mijë fëmijë pa dokumente u dërguan në Florida gjatë tetë muajve të parë të këtij viti. Mezi del koha që avokatja të marrë disa fotografi tek zyra e Shërbimeve Ligjore Katolike, para se niset për në gjykatë.

"Ka një numër shumë të madh fëmijësh që kanë nevojë për përfaqësim."

Në korrik, administrata e Presidentit Obama urdhëroi shqyrtimin e shpejtë të rasteve gjyqësore për fëmijët që kaluan kufirin në mënyrë të paligjshme. Avokatët e quajnë këtë "rocket docket"

Kur fëmijët pa dokumente kapen në kufi, ata mbahen të ndaluar në qendra të veçanta...

....si kjo në Teksas. Pastaj ata dërgohen për të jetuar me të afërmit në SHBA, deri në mbajtjen e seancës dëgjimore. Florida mori numrin më të madh të fëmijëve këtë vit, pas vetëm Texasit, Nju Jorkut dhe Kalifornisë.

Sot është një ditë tipike në gjykatën amerikane të emigracionit në Miami: tridhjetë e gjashtë fëmijë në rendin e ditës së mëngjesit. Dhe tridhjetë pasdite. Me vetëm katër gjykatës.

Fëmijët janë të frikësuar ndërsa hyjnë në gjykatë, si Roxanna 15-vjeçare, e cila nuk do të shfaqet në kamera:

"Isha nervoze. Nuk dija se çfarë do të më pyesnin," thotë ajo.

Fëmijët ulen në njërën anë, me avokatin, nëse kanë një të tillë. Prokurori ulet në anën tjetër. Gjykatësi në vendin e tij. Seanca e parë zgjat vetëm disa minuta.

Aktivistët si Amerikanët për Drejtësi në Emigracion trajnojnë avokatët se si të mbrojnë klientët e tyre të vegjël.

Drejtoresha Cheryl Little:

"Shqetësimi ynë është se fëmijët që nuk kanë një avokat me reputacion për t’i ndihmuar, mund të bien nëpër të çarat e sistemit dhe në shumë raste mund të kthehen pas, ku i presin abuzime të tmerrshme ose vdekja."

Si Wilmer Fernando Lorenzo i cili i shpëtoi bandave në Honduras me tre vëllezërit e tij më të vegjël. Tani ai ndihet i mashtruar:

"Të gjithë thanë se mund të qëndroje nëse vjen këtu për të studiuar, por tani jam i befasuar sepse ishin të gjitha gënjeshtra, sepse në të vërtetë është gjyqtari ai që vendos."

Disa thonë se administrata e Presidentit Obama po keqinterpreton ligjin, kur thotë se fëmijët nga Amerika Qendrore nuk mund të dëbohen pa një senacë dëgjimore. David Caulkett i organizatës Floridianët për Zbatimin e Emigracionit:

"Ligjet tona nuk po zbatohen. Fakti që ata po merren përsipër përbën nxitje që të vijnë më shumë njerëz."

Por nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim së shpejti, pasi qeveria amerikane ka shtyrë veprimet për reformën e imigracionit deri pas zgjedhjeve afatmesme të nëntorit.

Pra, tani për tani, rendi i ditës raketë shqyrton rastet, duke kaluar çështjet e fëmijëve me parë dhe më shpejtë.

XS
SM
MD
LG