Lidhje

Klinton-Trump, në garë për emigracionin


Kandidatët për president Hillary Clinton dhe Donald Trump kanë ndryshime dramatike në politikën për emigracionin. Megjithëse i ndryshoi deklaratat mbi problemin e emigrantëve të paligjshem, zoti Trump i qëndron idesë së deportimit të tyre si dhe ngritjes së murit në kufi me Meksikën. Në anën tjetër, politika e zonjës Clinton synon t’i bëjë miliona emigrantë pjesë të tregut formal të punës.

Shtetet e Bashkuara janë vend emigrantësh, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në ekonomi dhe janë pjesë e mozaikut kulturor të vendit.

Ju jeni fqinjët tanë, kolegët, miqtë, familjet tona”- iu drejtua zonja Clinton komuniteteve të emigrantëve.

Por zhvillime sikurse kriza e refugjatëve në Europë, kërcënimi nga terrorizmi dhe prania e afërsisht 11 milion emigratëve të paligjshëm është shdërruar në çështje madhore për fushatën presidenciale.

Donald J.Trump bëri thirrje për një ndalim përfundimtar të hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara.

Më vonë zoti Trump e korrigjoi qëndrimin mbi emigrantët myslimanë. Por ai ende i mëshon idesë së ngritjes së një muri në kufijtë jugorë të Shteteve të Bashkuara, me qëllim ndaljen e emigracionit të paligjshëm nga Meksika.

Ata po sjellin drogë, po sjellin krim, ata janë përdhunues. Disa prej tyre, supozoj, janë njerëz të mirë”, tha zoti Trump muaj më parë.

Politika e zotit Trump për emigracionin u kërkon autoriteteve meksikane të paguajnë për murin si dhe t’i japin fund politikës tashmë të njohur, kap e lësho. Sipas faqes zyrtare në internet të kandidatit republikan, kushdo që kalon kufirin në mënyrë të paligjshme, do të mbahet i ndaluar derisa të vendoset për largimin e tij nga vendi.

Zoti Trump gjithashtu do të deportonte kriminelët me kombësi të huaj, do të shtonte personelin që patrullon kufirin si dhe do të forconte sistemin elektronik të kontrollit në punë.

Përqëndrimi i zotit Trump tek emigracioni i paligjshëm ka bërë që komuniteti hispanik të mbështesë rivalen Hilary Klinton.

Ajo premton lehtësira për emigrantët e paligjshëm, nëpërmjet një reforme të përgjithshme, ku përfshihet dhënia e shtetësisë së plotë dhe me kushte të barabarta. Zonja Klinton premton gjithashtu se do të zgjidhë problemet e akumuluara me vizat, do të mbrojë kufijtë dhe do të forcojë sigurinë, si dhe do të bëjë miliona njerëz pjesë të ekonomisë formale amerikane.

Kandidatja demokrate shprehet se do të mbrojë programin e presidentit Barak Obama, që shmang përkohësisht deportimin e disa të rinjve, që janë shtetas amerikanë dhe prindërve të tyre.

Zonja Klinton ka një histori të mbrotjes së emigrantëve, thotë një zyrtar demokrat nga Kalifornia.

Të mbrojmë të gjitha komunitetet, të sigurohemi që të gjithë janë të mirëpritur dhe nuk janë delja e zezë e tufës” thotë një prej mbështetësve te zonjës Klinton, emigrante nga Kina.

Nga ana tjetër, mbështesit e zotit Trump besojnë se ai do të mbrojë vendin.

“Kemi nevojë për ndryshim real, këtë herë,” thotë një votues.

Rruga drejt Shtëpisë së Bardhë kërkon joshjen e votuesve për një sërë çështjesh të ndjeshme, por këtë vit emigracioni dhe siguria janë temat kyçe të fushatës.

XS
SM
MD
LG