Lidhje

Tubim para Kongresit për reformën në imigracion


Mijëra vetë marshuan në parkun kombëtar të Uashingtonit të martën duke kërkuar që Kongresi të miratojë një ligj për reformimin e sistemit amerikan të imigracionit i cili do të hapte rrugën për marrjen e dokumenteve për imigrantët e paligjshëm në vend.
Tubimi u mbajt pavarësisht se parku kombëtar ishte zyrtarisht i mbyllur si rezultat i mbylljes së pjesshme të qeverisë. Shërbimi Kombëtar i Parqeve tha se protesta për imigracionin ishte lejuar pasi konsiderohet si akt i shprehjes së fjalës së lirë dhe mbrohet me kushtetutë. Një nga mbështetësit e protestes ishte edhe senatori demokrat i Nju Xhersit, Robert Menendez.

“Është në interesin e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, është në interes të ekonomisë amerikane dhe në ruajtjen e historisë tonë të vjetër si vend i imigrantëve, për këtë arsye ne duam një votim në Dhomën e Përfaqësuesve për një reformë gjithpërfshirëse të imigracionit, dhe kjo duhet bërë tani”, tha senatori Menendez.

Policia e zonës përreth Kongresit amerikan arrestoi rreth 200 vetë për të cilët thuhet se ndërmorën akte të mosbindjes civile si pjesë e tubimit. Mes të arrestuarve kishte edhe disa ligjvënës si anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve Charles Rangel dhe Luis Gutierrez.

Një projektligj i miratuar nga Senati i kontrolluar nga demokratët dhe i mbështetur nga Shtëpia e Bardhë përfshin miliarda dollarë për sigurinë kufitare si dhe një proces 13 vjeçar që hap rrugën e marrjes së shtetësisë për ata që aktualisht ndodhen ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.

Pjesa dërmuese e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve e kanë hedhur poshtë qasjen gjithpërfshirëse dhe nuk është e qartë nëse ata do të miratojnë ndonjëherë një legjislacion që mund të krijojë bazën për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Senatin.

XS
SM
MD
LG