Lidhje

Debati për reformën e imigracionit


Pak ditë më parë, senati amerikan votoi në favor të shqyrtimit të një projektligji për reformimin e sistemit të imigracionit në vend. Reforma është përfshirë në një projektligj prej 844 faqesh të propozuar nga katër senatorë republikanë dhe katër demokratë. Ajo parashikon mundësinë e integrimit ligjor për emigrantët e shumtë pa dokumente dhe përforcimin e kufirit me Meksikën.

Në nëntor të vitit të kaluar, Presidenti Barack Obama fitoi mandat për katër vite të tjera në Shtëpinë e Bardhë.

"Ne besojmë në një Amerikë bujare, në një Amerikë të dhembshur, në një Amerikë tolerante e të hapur ndaj ëndrrave të vajzës së një emigranti e cila studion në shkollat tona dhe i zotohet flamurit tonë."

Shtatëdhjetë e një përqind e votuesve hispanikë dhe 72 për qind e votuesve aziatiko-amerikanë mbështetën presidentin demokrat.

Partia Republikane, e dobësuar, është detyruar të rishohë qëndrimin e saj ndaj emigracionit, një çështje kyçe për dy grupet minoritare me rritjen më të shpejtë në Shtetet e Bashkuara. Angela Kelly e Qendrës për Përparim Amerikan.

"Një numër i madh republikanësh, pas zgjedhjeve, kuptuan se duhej të reflektonin. Ne kemi nevojë, thanë ata, që të bëjmë diçka konkrete për emigracionin, të zgjidhim problemin."

Problemi janë 11 milionë imigrantë pa dokumente. Familje të shumta të ndara nga dëbimet në shifra rekord. Trafikantë të drogës që qarkullojnë përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Si dhe vështirësitë për të tërhequr punëtorë të teknologjisë së lartë dhe bujqësisë pa hequr vende pune prej amerikanëve.

Një javë pas betimit për mandatin e dytë në detyrë, Presidenti Obama paraqiti planin e tij për të rregulluar sistemin e imigracionit.

"Unë jam sot këtu, sepse ka ardhur koha për reformë të imigracionit të përbashkët, gjithëpërfshirëse dhe të arsyeshme. Koha është tani."

Katër senatorë republikanë dhe katër demokratë hartuan një projektligj prej 844 faqesh. Ai propozon forcimin e kufirit me Meksikën dhe një proces 13-vjeçar për marrjen e shtetësisë amerikane.

Senatori republikan John McCain i Arizonës, një shtet në kufi, është njëri nga autorët e projektligjit.

"Na ka pëlqyer të lejonim individë të punonin kopshtin tonë, të na shërbenin ushqimin, të pastronin shtëpitë tona dhe madje edhe të kujdeseshin për fëmijët tanë. Ndërkohë që vetë atyre nuk u ofronim asnjë prej përfitimeve që e bëjnë vendin tonë të madh."

Por jo gjithkush është i bindur për reformën. Republikani Lou Barletta, ligjvënës nga shteti i Pensilvanisë, thotë se historia e realizuar nga Presidenti Ronald Reagan po përsëritet.

"Unë besoj në idenë e amnistisë për ata që kanë jetuar këtu për një kohë të gjatë, edhe pse kohë përpara ata mund të kenë hyrë ilegalisht. Nëse ju kujtohet, në vitin 1986, kur Presidenti Reagan ofroi amnisti për 1,5 milionë të huajt e paligjshëm të atëhershëm, në fakt u mësua se numri i tyre ishte tre milionë. Unë besoj se e njëjta gjë do të ndodhë edhe sot. Atëherë u premtua se nuk do të ndodhte sërish dhe se kjo do të ishte një marrëveshje amnistie e përveçme dhe se do të siguronim kufijtë. E pra, ne nuk e bëmë këtë."

Më shumë se një mijë kilometra gardh shtrihet tani përgjatë kufirit me Meksikën jugperëndimore. Gati 18 mijë e 500 agjentë të Doganave dhe të Rojes Kufitare patrullojnë pranë kufirit. Helikopterët rrinë pezull në ajër, ndërsa radarë të lëvizshëm në terren skanojnë shkretëtirën.

Ndërsa bën thirrje për reformën e imigracionit, administrata Obama ka arritur shifra rekord dëbimesh. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Janet Napolitano.

"Vitin e kaluar kemi larguar 409 mijë njerëz nga vendi dhe ky është një numër
rekord. Por 55 përqind e tyre ishin dënuar edhe për shkelje të tjera penale."


Ekonomia amerikane është e paparashikueshme. Disa udhëheqës të teknologjisë si Steve Case i kompanisë America Online thonë se përgjigja është reforma e emigracionit.

"Zoti kryetar, emigrantët me aftësi të larta gjithmonë kanë qenë krijues të vendeve të punës, dhe jo marrës të tyre."

Zgjedhja tani qëndron në duart e Kongresit. Puna e tyre për një sistem të ri të imigracionit, që ka vite që përpunohet, vetëm sa ka filluar.
XS
SM
MD
LG