Lidhje

SHBA: Reforma e imigracionit


Një grup dy partiak prej tetë senatorësh amerikanë i quajtur “Grupi i të tetëve” ka paraqitur një projektligj për reformën e imigracionit

Një grup dy partiak prej tetë senatorësh amerikanë i quajtur “Grupi i të tetëve”, ka paraqitur një projektligj për reformën e imigracionit që është pritur mirë prej shumë njerëzve për dekada me radhë, por është kritikuar prej shumë të tjerëve si “amnisti” për ata që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara ilegalisht. Projektligji parashikon një proces të gjatë deri më marrjen e shtetësisë për më shumë se 11 milionë imigrantët që jetojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që shton sigurinë në kufijtë e vendit me Meksikën dhe krijon një sistem modern vizash për përshpejtimin e imigracionit të ligjshëm.

Senatori kuban-amerikan, Marko Rubio, e vlerësoi projektligjin si një arritje për të rregulluar sistemin e imigracionit.

"Para së gjithash ai ka të bëjë me modernizimin e sistemit tonë ligjor të imigracionit. Ai ka si synim për të tërhequr talentet më të mira të botës dhe për t’i mbajtur ata në Shtetet e Bashkuara”.

Senatori Rubio nga Florida, ka luajtur rol me rëndësi në kompromisin e “Grupit të të tetëve” që mund të miratohet pas disa dështimesh në të kaluarën. Projektligji do të kërkonte që imigrantët e paligjshëm të paguajnë një gjobë dhe taksat e prapambetura, të mësojnë anglisht dhe të presin 13 muaj për t’u bërë shtetas.

Për një periudhë afatgjatë, projektligji do të ndryshojë sistemin e imigracionit nga ai i bazuar në lidhjet familjare tek ai në bazë të meritës dhe kualifikimeve, i cili është mbështetur nga udhëheqësit e biznesit dhe të punës.

Senatori demokrat Çarls Shumer nga Nju Jorku është dakord se politikat e tanishme nuk kanë kuptim dhe po dëmtojnë ekonominë amerikane.

"Ne pengojmë njerëz që të hynë në vend, të cilët mund të krijojnë mijëra vende pune dhe lejojmë të tjerë të kalojnë kufirin dhe të zënë vende pune”.

Por një grup jtetër ligjvënësish kanë shprehur kundërshtimin e tyre të fortë për reformën e propozuar, duke iu referuar shqetësimeve për sigurimin kombëtar dhe ekonominë. Kongresisti Lu Barleta është republikan nga Pensilvania.

“Ne kemi patur ligjet tona të imigracionit për dy arsye, së pari për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare dhe së dyti për të mbrojtur vendet e punës. Propozimi i “Grupit të të tetëve” të Senatit i shkel të dyja këto parime, do t’i bëjë kufijtë tonë më të pasigurt dhe gjetjen e punës më të vështirë në një kohë që 22 milionë amerikanë nuk mund të gjejnë punë”.

Më herët, një grup imigrantësh të rinj amerikanë nga i gjithë vendi u mblodhën në Kapitol për t’u dërguar ligjvënësve mesazhin: “Ne jemi gati për reformën gjithëpërfshirëse të imigracionit. Stiven Kruz është nga Kalifornia.

"Personalisht, unë jam brezi i parë amerikan. Disa nga njerëzit e familjes time janë dëbuar nga vendi. Kjo është diçka që unë jam drejtpërdrejt i interesuar”.

Këta të rinj thonë se do të bëjnë ç’është e mundur për t’i bindur ligjvënësit se Amerika është gati për reformimin e përgjithshëm të sistemit të imigraconit për herë të parë në tri dekada. Por megjithë vemendjen për momentin, projektligji ka të ngjarë të përballet me debate të forta dhe pengesa të tjera në muajt e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG