Lidhje

Samit për krizën e migracionit


Një grup prej më shumë se 60 udhëheqësish nga Afrika dhe Bashkimi Evropian takohen sot dhe nesër në Maltë në përpjekje për të përmirësuar reagimet e tyre ndaj krizës së emigrantëve. Ndërkohë agjencia turke e lajmeve Dogan, njofton se 14 njerëz humbën jetën dhe 27 u shpëtuan nga autoritetet e Turqisë kur gomonia e tyre u fundos ndërsa udhëtonte drejt ishullit grek Lesbos.

Bashkimi Evropian thotë se takimi i nivelit të lartë do të fokusohet në trajtimin e arsyeve se pse njerëzit po largohen nga vendet e tyre, për të organizuar më mirë proceset e ligjshme të migracionit, shtimin e mbrojtjes për migrantët, luftën kundër trafikantëve dhe përmirësimin e bashkëpunimit me vendet afrikane lidhur me kthimin e atyre që nuk kualifikohen për azil. Presidenti i Këshillit të Evropës Donald Tusk foli në prag të takimit të sotëm:

“...si për dhënien e vizave apo fondeve për zhvillim apo për të luftuar trafikantët, ky takim është rreth veprimeve konkrete që do ndërmarim.”

Si pjesë e përpjekjve, Evropa po ofron 1.8 miliard dollarë ndihma për vendet afrikane. Por kritikët po vënë në pikpyetje reagimin evropian, duke thënë se blloku po përpiqet të shtyjë mbrapa njerëzit drejt zonave ku ka shqetësime serioze rreth të drejtave të njeriut dhe mungesë të shanseve ekonomike.

Ndërkohë, Sllovenia nën masa të rrepta sigurie filloi sot punën për ndërtimin e një gardhi me tela me gjemba përgjatë kufirit me Kroacinë. Sllovenia thotë se kërkon kontroll më të mirë mbi prurjet e migrantëve që kalojnë nëpër territorin e saj në rrugëtimin e tyre nëpër kontinent.

XS
SM
MD
LG