Lidhje

Përmirësime në fushën e vaksinimeve


Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, çdo 20 sekonda, një fëmijë vdes nga një sëmundje që mund të parandalohej me vaksinë. Në vazhdim, një vështrim gjendjes së përpjekjeve globale për imunizime dhe çfarë duhet bërë për të pakësuar numrin e vdekjeve të parandalueshme.

Fruthi është një nga shkaqet kryesorë të vdekjeve të fëmijëve në mbarë botën. Gjithashtu, fruthi mund t'i lërë fëmijët të verbër, shurdh ose me aftësi të kufizuara zhvillimore, edhe kur ata janë ende në mitrat e nënave të tyre. Megjithatë, sëmundja mund të parandalohet vetëm me dy doza të një vaksine të sigurt dhe jo të shtrenjtë.

Kur fruthi shpërtheu në shtetin amerikan të Karolinës së Veriut më herët këtë vit, Pamela McCall ishte një nga zyrtarët e shëndetësisë që ndoqi këto raste.

"Është një nga ato vaksinat e kërkuara për hyrjen në shkollë, kështu që shumica e fëmijëve janë të vaksinuar dhe shumica e njerëzve janë të imunizuar kundër fruthit."

Kjo është arsyeja pse vetëm 10 persona në Karolinën e Veriut u prekën nga fruthi. Në SHBA, vaksinat i kanë bërë shumë sëmundje të rralla, apo jo-ekzistente. Dr Chesley Richards është me Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

"Vaksinat kanë patur një ndikim të madh në përmirësimin e shëndetit në Shtetet e Bashkuara. Sëmundjet si fruthi, lia, poliomieliti, janë eliminuar dhe në rastin e lisë, ajo është zhdukur në mbarë botën."


Por ka shumë më tepër për të bërë. Vaksina kundër malaries, kërkimet e së cilës kanë vazhduar për një kohë të gjatë, mund të shpëtojë disa prej më shumë se 660,000 njerëzve, kryesisht fëmijë, që vdesin çdo vit nga paraziti i bartur nga mushkonjat.

Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve thotë se vaksinat i japin fëmijëve një shans për t'u rritur të shëndetshëm, të shkojnë në shkollë, dhe për të përmirësuar jetën e tyre.

Dr Anthony Fauci, i Institutit Kombëtar të Shëndetit, pajtohet me këtë vlerësim.

"Nëse zgjidhni një ndërhyrje, në se vini në balancë investimet që kemi bërë në fushën kërkimore dhe përfitimet shëndetësore, vaksina duhet të jetë në krye të listës ose aty afër."

Sipas të dhënave të Qëndrës për Kontrollin dhe Parandalimin e sëmundjeve, që nga ndërmarrja e nismës kundër fruthit dhe rubeolës 12 vjet më parë, vdekjet nga fruthi në mbarë botën janë ulur me gati 75 për qind.

Përveç parandalimit të shumë sëmundjeve të fëmijërisë, vaksinat mbrojnë edhe kundër hepatitit, gripit, madje dhe kancerin e qafës së mitrës. Së shpejti, vaksinat mund të çlirojnë botën nga goditja e poliomielitit.

Dr Fauci thotë se vaksinat ulin koston e kujdesit shëndetësor për shkak se parandalimi i një sëmundje kushton më pak sesa trajtimi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë është duke u bërë thirrje vendeve nëpër botë për të investuar më shumë në programet e imunizimit në mënyrë që më shumë fëmijë të rriten të shëndetshëm dhe të fortë.
XS
SM
MD
LG