Lidhje

Rikthehen debatet për importimin e plehrave


Përfaqësuesi i AKIP, Lavdosh Ferruni, thotë se shoqëria civile po pret vetëm datën kur do të kryhet referendumi mbi importimin e mbetjeve urbane.

Ministria e mjedisit publikoi sot një raport lidhur me përputhjen e ligjeve shqiptare mbi përpunimin e integruar të mbetjeve urbane me direktivat e Bashkimit Europian dhe Konventën e Bazelit, duke rikthyer edhe debatet për importimin e plehrave nga jashtë vendit. Autoritetet mjedisore deklaruan se kanë marrë një çertifikim mbi përputhshmërinë e legjislacionit shqiptar me direktivat e BE-së dhe Konventën e Bazelit për përpunimin e integruar të mbetjeve. Sipas ministrit të mjedisit, Fatmir Mediu, “ligjet shqiptare për mbetjet kanë përfshirë gjithë objektivat e vendeve të BE-së për reduktimin dhe riciklimin e mbetjeve urbane”.



Deklaratat e qeveritarëve në këtë konferencë sollën reagimet e menjëhershme të veprimtarëve të mjedisit, të ciët thanë se ky raport është i vonuar dhe duhej sjellë përpara se të miratohej ligji për mbetjet urbane dhe importimin e tyre nga shtete të tjera. Përfaqësuesi i Aleancës Kundër Importit të Plehrave, Lavdosh Ferruni, thotë se “shoqëria civile po pret vetëm datën kur do të kryhet referendumi kombëtar mbi importimin e mbetjeve urbane dhe i ka kërkuar qeverisë të shpallë një moratorium për plehrat deri në organizimin e referendumit”.

Një tjetër përfaqësuese e AKIP, Kozara Kati, shprehu indinjatë për raportin e ministrisë së mjedisit që ishte konsultuar, që siç u tha, me shoqërinë civile, “kur në fakt shoqëria civile ka mbledhur 64 mijë firma qytetarësh dhe ka kërkuar një referendum kundër importit të plehrave”.

Veprimtarët pro mjedisit dhe Aleanca Kundër Importimit të Plehrave protestuan për disa muaj me rradhë përpara parlamentit, në rrugët e Tiranës dhe qyteteve kryesore kundër projekt-ligjit për përpunimin e mbetjeve, ndërkohë që ai po diskutohej në parlament. Ata mblodhën mbi 60 mijë nënshkrime nga qytetarët dhe kërkuan një referendum kombëtar kundër importimit të mbetjeve në dobi të disa fabrikave ricikluese, por KQZ e shtyu këtë temë për të paktën një vit. Qeveria thotë se po shkurton listën e mbetjeve që mund të importohen drejt Shqipërisë, por ky veprim uk kënaq veprimtarët e mjedisit, të cilët kërkojnë një ndalim të importeve deri në një referendum ku të votojnë qytetarët.
XS
SM
MD
LG