Lidhje

Shqipëri: Nuk zhvillohet votimi për çështjen e imuniteteve


Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në mbrëmje se shumica që ai drejton do të kërkojë një referendum për çështjen e kufizimit të imunitetit. Deklarata e tij erdhi në fund të një seance prej afër 8 orësh në parlament, e cila ishte thirrur për të votuar ndryshimet në kushtetutë për imunitetet. Së bashku me opozitën ishte rënë dakort për formulën e ndryshimeve, por socialistët kërkuan që votimi të bëhej në shtator, pasi të ishin diskutuar ndërkohë edhe propozimet e tyre për disa nderhyrje të tjera kushtetuese që lidhen me sistemin e Drejtësisë dhe emërimet e gjykatësve dhe drejtuesve të institucioneve kryesore kushtetuese. Këto propozime kryeministri i ka konsideruar të papranueshme.

Duke qenë se në seancën e sotme ishte e domosdoshme edhe mbështetja e opozitës, procedura e votimit nuk u hap. “Në këtë situatë, ky debat me ju merr fund këtu. Që nesër shumica do të nis procesin për referendum popullor për heqjen e imunitetit. Ne do t’i drejtohemi socialistëve të thjeshtë”, deklaroi kryeministri pasi akuzoi socialistët se po mbajnë të njejtin qëndrim bllokues që sipas tij kanë dëshmuar gjatë këtyre viteve duke dashur të bllokojnë statusin e vendit kandidat, tha zoti Berisha.

Por duket se angazhimi i kryeministrit rrezikon të mos shkojë përtej kësaj deklarate. Kushtetuta parashikon dy mundësi për një referendum për rishikimin e saj. E para kur parlamenti “mund të vendosë, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, që projektamendamentet kushtetuese të votohen me referendum”. Dhe e dyta, pas kërkesës së “një të pestës së deputetëve për t’ia nënshtruar votimit popullor amendamentin kushtetues, të miratuar nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve”, sic përcakton edhe ligji për referendumet. Pra në të dy rastet nevojiten dy të tretat e parlamentit. Situata në këtë mënyrë mbetet po e njejta, sic ishte edhe sot. Shumicë nuk e anashkalon dot dhënien e pëlqimit nga ana e opozitës.

Lëvizja e kryeministrit duket të jetë më shumë një mënyrë për të mbajtur nën presion opozitën. Kryetari socialist Edi Rama reagoi menjëherë në Twitter. “Referendum për imunitetin? Gati ta pyesim popullin për gjithë paketën e ndryshimeve kushtetuese për drejtësinë, ky do ishte referendumi real! Përderisa për imunitetin kemi rënë dakord e për ndryshimet e tjera Saliu fshihet,le t’i ballafaqojmë hapur me popullin vizionet e argumentat”, shkruan zoti Rama. Më tej ai shton: “Le tua lëmë shqiptarëve ta ndajnë a duhet ndryshuar në Kushtetutë vetëm pika e imunitetit apo edhe propozimet e tjera të opozitës! Si thua Sali? Nëse ke kurajo, jo për t'u tallur me popullin, po për t'u ballafaquar me opozitën përpara popullit, eja bëjmë referendumin”, përfundon kryetari socialist.
XS
SM
MD
LG