Lidhje

Shqipëri, PS kushtëzon votën për imunitetet


Keshilli i legjislacionit, parlamenti shqiptar
Keshilli i legjislacionit, parlamenti shqiptar

Kryetari Edi Rama kërkon të diskutohen edhe ndryshimet kushtetuese të propozuara nga opozita që prekin sistemin e Drejtësisë

Në Shqipëri kryetari i partisë socialiste deklaroi sot se opozita nuk mund të japë konsensusin e saj për cështjen e imuniteteve pa u përfshirë në diskutime edhe paketa e ndryshimeve kushtetuese e propozuar prej saj, të cilat prekin sistemin e drejtësisë. Deklarata e zotit Rama erdhi ndërkohë që Këshilli i Legjislacionit në parlament po zhvillonte një seancë dëgjimore me ekspertë të huaj dhe vendas për imunitetin. Për këtë cështje ka dy variante të paraqitura nga palët. Sipas ekspertëve të misioneve ndërkombëtare të asistencës së sistemit të Drejtësisë të dyja propozimet janë brenda standarteve dhe i japin zgjidhje problemit.



Afati 6 gusht i vendosur nga parlamenti për miratimin e ndryshimeve në kushtetutë lidhur me cështjen e imunitetit duket të jetë i largët për t’u arritur. Socialistët paraqitën dje një paketë ndryshimesh të tjera që lidhen me sistemin e drejtësisë e që sipas tyre do të forconin pavarësinë e këtij sistemi dhe luftën reale ndaj korrupsionit. Por për demokratët kjo nismë nuk mund të diskutohej me atë të imuniteteve duke qenë se kishte një tjetër objekt e për pasojë mund të merrej në shqyrtim në një kohë të dytë.

Sot kryetari Edi Rama duke i mëshuar faktit se sipas tij “Drejtësia është kapur për fyti nga pushteti” tha se socialistët janë gati të votojnë për imunitetin por jo duke arnuar kushtetuten tha ai duke ftuar shumicën "të kuptojë se së pari nuk mund ta copëtojmë kushtetutën copa copa, edhe në gusht edhe në shtator, sikur po arnojmë mëngët e një xhakete të kapur. Së dyti nuk mund të gjejnë konsensusin për ndryshimin e kushtetutës në një klimë të ngarkuar me akuza dhe shpifje ndaj opozitës që synojnë të krijojnë një perceptim skandaloz se problemi në Shqipëri nuk qenka korrupsioni rrënqethës në qeverisjen e këtyre 7 viteve por një korrupsion imagjinar i opozitës”.

Kryetari socialist e bëri të qartë se vota e opozitës do të jepej vetëm pasi të diskutoheshin dhe propozimet e saj: “Duhet të bëjmë një debat të hapur dhe serioz me njëri tjetrin dhe institucionet e njerëzit e drejtësisë dhe shoqërisë civile për tërësinë e ndryshimeve kushtetuese të propozuara prej nesh dhe vetëm pastaj votojmë. Ne synojmë dhe kërkojmë që ky debat i rëndësishëm të bëhet me seriozitet dhe intensitet dhe të mbyllet mundësisht brenda muajit shtator”.
Sipas zotit Rama në një rast të tillë vendin do t’i rriteshin së tepërmi shanset për të marrë statusin kandidat për në Bashkimin europian.

Deklaratat e kryetarit socialist erdhën ndërkohë që në parlament, Këshilli i legjislacionit po vazhdonte me dëgjesën e ekspertëve të huaj dhe vendas si dhe me drejtuesit e institucioneve kryesore dhe atyre të drejtësisë, për cështjen e imunitetit. Në tavolinë janë dy variante të paraqitura nga të dyja palët dhe që në thelb janë të ngjashme. Demokratët kanë bërë të tyren, një formulim të misionit PACA të Këshillit të europës dhe të Euraliusit, i Bashkimit europian që praktikisht heq në masë të gjerë imunitetin, edhe ndaj arrestimeve të deputetëve, ndërsa parashikon ndërhyrjen e parlamentit vetëm nëse vlerësohet se cënohet funksionimi i tij. Socialistët ndërkaq kërkojnë që për deputetë, të mbetet mbrojtja ndaj arrestimit i cili mund të bëhet vetëm me autorizim të parlamentit.

Drejtuesit e dy misioneve europiane u shprehën se të dy variantet përmbushin standartet dhe i japin zgjidhje problemit: "Të dy propozimet përmbushin objektivin e një kufizimi serioz të imuniteteve, sipas standarteve ndërkombëtare. Sic thuhet ka më shumë se një rrugë që të con në Romë. Por për t’ju përgjigjur pyetjes se kusht është varianti më i mirë, ne besojmë se ajo i përket autonomisë dhe vullnetit të ligjvënësve shqiptarë", tha drejtuesi i misionit Paca Tilman Hoppe. "Unë shpresoj që qeveria dhe opozita të arrijnë një zgjidhje të mesme, sespe teknikisht të gjitha palët janë dakort me qëllimin dhe unë mbështes të dy propozimet, dhe mbështes heqjen e imunitetit për gjykatësit në mënyrë të të mbrohen nga ndikimet e jashtme apo politike por nuk u jep atyre një privilegj që pengon luftën kundër korrupsionit", u shpreh drejtuesi i Euralius Jochim Urias.

Për orë të tëra në Këshillin e legjislacionit ka vazhduar seanca dëgjimore, mes pyetjeve të shumta dhe sugjerimeve për aspekte deri mjaft të imta juridike. Përfaqësuesit e institucioneve të Drejtësisë janë shprehur në favor. Vecanërisht prokurorja e përgjithshme Ina Rama e cilësoi si një hap që do të hiqte pengesat që deri më tani janë hasur ne hetimin e zyrtarëve të lartë apo gjyqtarëve.
XS
SM
MD
LG