Lidhje

Sesioni i ri parlamentar rinis me polemikat për imunitetet


Në Shqipëri parlamenti nis sot sesionin e tij të vjeshtës me polemikat mbi cështjen e imunitetit dhe të njejtat akuza reciproke që palët po shkëmbejnë prej javësh me njëra tjetrën. Opozita socialiste tha se nuk ka asnjë kundërshtim dhe se pret që shumica të mbështesë propozimet e saj për disa ndryshime të tjera kushtetuese që lidhen me sistemin e drejtësisë. Kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi i cilësoi pacavure propozimet e socialistëve duke deklaruar se nuk do ti mbështesnin dhe se sipas tij, janë vetëm një mënyrë për të bllokuar marrjen e statusit kandidat për në Bashkimin europian



Hapja e sesionit të ri të parlamentit u parapri nga një mesazh dërguar nga presidenti Bujar Nishani. Kreu i shtetit theksonte se forcat politike duhet “të punojnë bashkarisht për të arritur realizimin e detyrave të rëndësishme të parashikuara në 12 prioritetet e Bashkimit Evropian, përpara daljes së raportit të përparimit të Komisionit Evropian për Shqipërinë”. Presidenti Nishani nënvizoi më tej “rëndësinë e angazhimit të të gjithë deputetëve në heqjen apo kufizimin e imunitetit si një kontribut të vendosjes së një standardi politik dhe ligjor të nevojshëm për një shoqëri dhe një vend që aspiron vlerat evropiane të shtetit ligjor dhe të së drejtës”, shkruhet në mesazhin e tij.

Por presidenti Nishani do të vihej në shënjestër të akuzave të socialistëve në sallën e parlamentit, për emërimin e kreut të ri të shërbimeve sekrete, të kryetarit të ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të drejtuesve të rinj të forcave të armatosura.

Ndërsa për sa i përket imunitetit ajo ishte cështja që zotëroi edhe seancën e sotme, pas javëve të tëra debatesh. “Më 6 gusht, ne mbyllëm sesionin ashtu siç nuk duhej. Nuk u votua një ligj që lidhej me heqjen e privilegjit tonë. Ky ligj si dhe ai Gjykatës së Lartë nuk miratohen, nëse opozita nuk voton. Miratimi i tyre nuk bëhet për t’i bërë as nder, as favor mazhorancës, as edhe qeverisë. Ato i shërbejnë vendit, por kërkohen edhe nga Brukseli. Ne këtë sallë, ne përfaqësojmë qytetarin dhe votojmë për të. Pushteti nuk është i yni, por i shqiptarëve. Ata na kane besuar përfaqësimin. E nëse thyen besimin, me kushte, pazare apo bllokim, vështirë që sovrani të fal”, deklaroi kryetarja e Parlamentit Josefina Topalli.

Por për kryetarin e grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci shumica po e përdor këtë cështje si pretekst për të mbuluar sipas tij dështimin në përmbushjen e objektivave të kërkuara nga Brukseli: “Nëse e keni vërtet hallin tek statusi dhe jo tek fajësimi opozitës përgjigjuni kërkesave të Bashkimit Europian për 12 rekomandimet. Ku janë rezultatet e kërkesave të Bashkimit Europian për luftën kundër korrupsionit? Ku janë rezultatet për pandëshkueshmërinë që është tipari themelor i kësaj qeverie? Ku janë rezultatet për zgjidhjen e çështjes së pronësisë? Ku janë rezultatet për sistemin e drejtësisë? Ku janë rezultatet për luftën ndaj krimit të organizuar? Ku janë rezultatet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut?”

Sipas zotit Ruci, cështja e imunitetit është e mbyllur dhe opozita ka dhënë mbështetjen e saj, duke ftuar më pas shumicën të votojë propozimet e tyre kushtetuese që lidhen me reformën në Drejtësi: “Vota ndaj amendamenteve tona është një votë për shtetin e së drejtës, është për votë për barazinë reale para ligjit, është votë për t’i dhënë vendit gjyqtarë me integritet, që ju mundësojnë qytetarëve të këtij vendit drejtësinë e kërkuar dhe të munguar dhe jo gjyqtarë e prokurorë që drejtësinë për qytetarin e këmbejnë me shërbimin ndaj pushtetarit, ndaj më të fortit dhe atyre që paguajnë më shumë. Kjo është reforma reale që i shërben drejtësisë së pavarur dhe transparente”.

Diskutimet për propozimet e socialistëve do të nisin pas tre ditësh, por shumica edhe një herë konfirmoi se nuk do t’i votojë ato. "Nuk kemi asgjë për të fshehur, po ta themi që sot se nuk kemi ndërmend t’i votojmë pacavuret e depozituara. Por ne do të respektojmë deri në fund të drejtën e opozitës për t’ja futur edhe kot. Ndaj do zbatojmë cdo normë proceduriale në shqyrtimin e nismave të partisë socialiste. Kjo nuk është cështje dëshire apo vullneti të munguar. Por ne nuk mund të marrim seriozisht një gjë që Edi Rama dhe grupi parlamentar i PS e ka sjellë në Kuvend thjesht dhe vetëm si një pretekst për të zvarritur votimin e kufizimit të imunitetit dhe reformat e tjera të integrimit. Eshtë thjesht një mënyrë e trashë për të bllokuar statusin”, deklaroi kryetari i grupit demokrat Astrit Patozi.

E ndërsa debati për imunitetin duket se do të vazhdojë gjatë, parlamenti pritet që në javët e ardhshme të votojë edhe për komisionin e ri zgjedhor. Komisioni aktual pushoi së ekzistuari pas miratimit të kodit të ri zgjedhor. Sipas formulës së re, kryetari do të zgjidhet mes kandidaturave që do të ofrohen vetë, ku dy nga emrat më të mbështetur do t’I nënshtrohen votimit në sallë. Sot parlamenti shpalli edhe nisjen e konkursit për postin e kryetarit të ri të Komisionit qëndror të zgjedhjeve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG