Lidhje

Shqipëri, debate të forta për votimin e imunitetit


Ministrja e Integrimit: “6 gushti është shansi për të çuar përpara procesin e integrimit”. Xhafa i PS: “Data u caktua në mënyrë arbitrare. Shumica pati 10 muaj kohë për të sjellë projektin”

Në Shqipëri cështja e votimit më 6 gusht në parlament për heqjen e imunitetit ishte edhe sot në qendër të deklarateve politike. Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu tha se kjo cështje është pjesë e objektivave të kërkuar nga Brukseli dhe se nuk mund të shtyhet në shtator. Sekretari për cështjet ligjore në partinë socialiste Fatmir Xhafa nga ana e tij u shpreh se data 6 gusht është përcaktuar në mënyrë arbitrare dhe se shumica nuk mund t’i imponohet opozitës, duke shpjeguar edhe një herë se ndryshimet në kushtetutë për imunitetin duhet të kalojnë së bashku me propozimet e tjera të paraqitura prej tyre




Duket se është kthyer në një luftë nervash cështja e heqjes apo kufizimit të imuniteteve dhe votimi i pritshëm në parlament më datë 6 gusht. Debatet nuk kanë munguar as sot mes palëve. Socialistët kërkojnë që kjo cështje të trajtohet njëkohësisht edhe me propozimet e tyre për disa ndryshime të tjera në kushtetutë duke shpjeguar se është e papranueshme që të ndërhyhet dy herë vecmas. Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, deklaroi se data 6 gusht është përcaktuar në bazë të rregullores.

Por sekretari për cështjet ligjore në partinë socialiste Fatmir Xhafa u shpreh se ajo është vendosur në mënyrë të njëanshme nga shumica dhe pa konsensusin e tyre. Sipas tij kjo ka qenë një përpjekje për t’iu imponuar opozitës:“Kjo nuk bëhet me ultimatum. Nuk bëhet me kushtëzim, me grusht sic kërkon kryeministri që thotë “Këtu jam unë dhe do bëni si them unë”. Jo nuk bëhet kështu. Do bëhet sic është më e mira, për kushtetutën dhe shqiptarët. Ka dhe opozita zë, ka dhe opozita përgjegjësi përpara kushtetutës dhe qytetarëve të këtij vendi. Dhe të vish e të më thuash do ta bësh si e dua unë dhe kur e dua unë e do rrish me një këmbë. Jo, ne nuk rrimë më nje këmbë se do Sali Berisha”

Ministrja e integrimit Bregu nga ana e saj u shpreh se miratimi i cështjes së imunitetit do të ishte një shans për përparimin e vendit drejt integrimit: “6 gushti është shansi për të çuar përpara axhendën kombëtare të integrimit. Braktisja e këtij shansi nga opozita është ribllokim i procesit të integrimit. Shqiptarët dhe Shqipëria kanë humbur 2 vjet kohe, nga papargjegjshmëria e Edi Ramës. Asnjë shqiptar nuk i ka borxh Edi Ramës të humbasë përsëri shansin e merituar, vetëm sepse ai kërkon të mbrojë lidhjet e tij të dukshme e të padukshme me krimin , paligjshmërine dhe korrupsionin”.

Socialistët thonë se si imuniteti dhe propozimet e tyre mund të zgjidhen së bashku në shtator. Por sipas zonjës Bregu kohë nuk premton deri atëherë: “Shtatori nuk është muaj e kohë e lirë. Vendimet në Komisionin Evropian nuk kanë lirshmërinë për t’u menduar e rimenduar sipas ndryshimit të humorit dhe tekave të Edi Ramës. Ne do të votojmë në datën 6 gusht heqjen e imunitetit”.

Scialistët e quajnë demagogji qëndrimin e shumicës: "Nëse ishte kusht, përse kryeministri priti ditët e fundit të afatit për ta sjellë në parlament, kur ai thjesht solli projektin e PACA dhe Euralius, projekte që i janë dorëzuar atij qysh në tetor të vitit të kaluar. Nga tetori deri më korrik, pa i ndryshuar asnjë gjë këtij dokumenti”, u shoreh zoti Xhafa. Deri më 6 gusht ditët janë të pakta dhe deri më tani asnjëra palë nuk ka dhënë sinjale lëshimi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG