Lidhje

Shqipëri, ndërkombëtarët: Zgjidhje për imunitetet


SHBA, BE, OSBE u bëjnë thirrje partive politike

Në Shqipëri ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit europian dhe Osbe-së nxitën sot forcat politike të vazhdojnë përpara me reformat dhe të zgjidhin cështjen e heqjes së imuniteteve. Komentet e tyre ata i bënë në përfundim të një takimi me kryetarin socialist Edi Rama. Një propozim për heqjen e imuniteteve është paraqitur në parlament nga shumica. Kryeministri Sali Berisha ftoi sot opozitën që të votojnë ndryshimet. Socialistët janë deklaruar në parim pro cështjes së imuniteteve por kërkojnë që ndryshimet të shoqërohen dhe me garanci më shumë për pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Çështja e imuniteteve duket se do të jetë në qendër të debateve të nxehta në këto javë të fundit të këtij sesioni parlamentar. Ashtu si dhe për reformën zgjedhore, edhe për imunitetet, kërkohet një konsensus mes palëve duke qenë se do të ndërhyhet në kushtetutë.



Pas propozimit të paraqitur në parlament nga shumica, tre ambasadorët e shteteve të Bashkuara, Bashkimit europian dhe Osbe-së takuan sot për këtë qëllim kryetarin socialist Edi Rama."Imuniteti kur ka të bëjë me funksione të rëndësishme, si anëtarë të parlamentit, gjyqtarët a prokurorët, i jep më shumë vlerë sistemit të kontrollit dhe ekuilibrit mes pushteteve dhe për këtë arsye, është një cështje për të cilën duhet parë përpara por dhe që duhet trajtuar me kujdes.Të qenurit i nënshtruar ndaj kushtetutës dhe ndaj ligjit është e rëndësishme për të gjithë, përfshirë dhe zyrtarët, prandaj nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri kur ata shkelin ligjet”, deklaroi ambasadori i Osbe-së Eugen Wollfarth.

Nisma e propozuar nga shumica praktikisht i zhvesh të gjithë zyrtarët, ministrat, deputetët dhe gjyqtarët nga imuniteti, duke i lënë një mbrojtje të lehtë vetëm ndaj arrestimeve. Në rastin e deputetëve arrestimi mund të anullohet nëse parlamenti arsyeton se “po cenohet ndjeshëm funksionimi i Kuvendit”. Në rastin e gjyqtarëve, si ata të kushtetuteses apo dhe gjyqtarëve të thjeshtë, po ashtu, imuniteti reduktohet thuajse tërësisht, por në rastin e arrestimit është vetë Gjykata kushtetuese apo Këshilli i lartë i Drejtësisë që vendos të mbajë në fuqi apo jo këtë masë.

Propozimi i demokratëve është një përkthim në shqip i variantit të ofruar nga ekspertë të Këshillit të europës. Kryeministri Sali Berisha i bëri sot sërish thirrje opozitës që të votojnë ndryshimet: “T’i votojmë ato sepse ky është interes jetik i çdo qytetari shqiptar, i çdo taksapaguesi. T’i votojmë sepse çdo hezitim, i cilitdo politikani për të mbështetur heqjen e imunitetit, do të ketë jehonën më negative, përshtypjen më negative, te çdo qytetar, pavarësisht nga përkatësia e tyre”.

Socialistët nga ana e tyre janë shprehur dakort në parim, por duket se janë më tepër në favor të kufizimit të imuniteteve dhe të lënë mbrotjen ndaj arrestimeve, edhe për shkak se sic tha javën e shkuar kryetari socialist Rama, qeveria ka vendosur kontroll mbi sisitemin e drejtësisë. Ideja që qarkulllon është ajo e garancive për një pavarësi të këtij sistemi dhe duket se socialistët do të kërkojnë që votimi për anëtarët e gjykatës kushtetuese dhe asaj të lartë të jenë me tre të pestat.

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu u shpreh pas takimit të sotëm se kishte besim se Partia Socialiste kërkon të jetë konstruktive dhe një partner pozitiv në kërkim të konsensusit për imunitetet: “Është një kohë e gjatë për të patur diskutime të mira e për të marrë parasysh të gjitha këndëvështrimet e ndryshme. Siç ndodh me çdo pjesë të legjislacionit, nuk duhet të lejohet që e përsosura të jetë armik i së mirës.Eshtë koha për të arritur me një ligj të mirë, pasi ekzistojnë disa propozime mbi tavolinë”.

Nga ana e tij ambasadori i delegacionit të Bashkimit europian Ettore Sequi u shpreh se është e rëndësishme të ecete përpara dhe me reformat e tjera për të cilat palët kanë rënë dakort: “Cështja e imunitetit është e një rëndësie kritike dhe është po kaq e rëndësishme të ecet përpara edhe për reformat në rrugën e integrimit, dhe po i referohem në vecanti reformës parlamentare , që është pjesë e marrëveshjes së nëntorit të kaluar. Ne shpresojmë, sepse nuk po i kërkojmë politikanëve shqiptarëqë të pëlqejnë njëri tjetrin, por të punojnë me njëri tjetrin për hir të integrimit europian”, nënvizoi ambasadori Sequi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG