Lidhje

Vizita e Papa Franceskut në Shqipëri: Mesazhi dhe realiteti


Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Imzot Rrok Mirdita, Arkipeshkëv i Tiranës dhe Durrësit thotë se Papa Francesku po e mbështet Shqipërinë në rrugën e zhvillimit, sepse e di mirë që varfëria e popullatës është e madhe.

Vizita e Papa Franceskut në Shqipëri javën e ardhshme po pritet me mjaft interes nga opinioni publik, ndërsa klerikët dhe administrata po bëjnë përgatitje të shumta për mbarëvajtjen e ceremonive fetare. Imzot Rrok Mirdita, Arkipeshkëv i Tiranës dhe Durrësit thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës, se Papa Francesku po e mbështet Shqipërinë në rrugën e zhvillimit, sepse e di mirë që varfëria e popullatës është e madhe. Një nga mesazhet e vizitës, sipas tij, është që pasuria shpirtërore e shqiptarëve në shekuj është më e rëndësishme se ajo materiale.

Zëri i Amerikës: Imzot Rroku! Si po shkojnë përgatitjet për vizitën e Papa Franceskut?

Imzot Rrok Mirdita: Mund të them me kënaqësi se përgatitjet kanë përparuar mjaft mirë deri tani, dhe besoj se gjithçka ka për të përfunduar në kohë në pikat kryesore që janë sheshi Nënë Tereza, ku do të jetë ngjarja kulmore e vizitës së Papës, mesha në prani të mijëra besimtarëve dhe autoriteteve të ndryshme kishtare dhe shtetërore, dhe përfaqësive të ndryshme diplomatike. Pastaj qendra e shtypit pastaj qendra Bethania, në fshatin Bubq, ku Papa do të vizitojë fëmijët. Mendoj dhe tani besoj se Papës do t'i bëhet një pritje dinjitoze. Papa vetë nuk pretendon pritje të mëdha; dihet tashmë se ai është një njeri shumë i thjeshtë dhe shqetësohet, nëse pritjet marrin shumë energji dhe marrin vëmendje të atij vendi aty. Por kjo është shumë e rëndësishme edhe për imazhin e Shqipërisë në botë. E madhërishme do të jetë paraqitja e sheshit Nënë Tereza me altarin në qendër, prej ku Papa do të udhëheqë meshën dhe do t'i drejtojë fjalën e vet mbarë popullit shqiptar dhe mendoj edhe përtej Shqipërisë. Është një ngjarje shumë e bukur, që falë edhe angazhimit me të vërtetë serioz të autoriteteve, do të tërheqë vëmendjen e njerëzve në tërë botën.

Zëri i Amerikës: Dy dekada më parë Shqipërinë e sapodalë nga diktatura e vizitoi Papa Gjon Pali i Dytë. A mund të bëni një krahasim me vizitën që po kryen tani Papa Francesku?

Imzot Rrok Mirdita: Kemi të bëjmë me dy papë, me dy udhëheqësa më të lartë të kishës katolike, pasardhëse të Shën Pjetrit. Vizitat kanë shumë gjëra të përbashkëta, pa dyshim, por nëse marrim parasysh momentin dhe rrethanat, kanë edhe ndryshime. Papa Gjon Pali i Dytë erdhi për të përcjellë një periudhë shumë të dhimbshme të popullit shqiptar në përgjithësi, dhe në veçanti të kishës katolike, dhe hapi një faqe të re të historisë tonë. Me shugurimin e 4 udhëheqësave të rinj fetarë në Shkodër, ai e rivendosi dhe e ripërtëriu hierarkinë e kishës, aq e domosdoshme, e cila nuk ekzistonte pas shkatërrimit prej diktaturës. Papa Gjon Pali i Dytë dha apelin e një solidarizimi me ato çka kisha ka vuajtuar dhe me ato pasoja që i la diktatura komuniste. Ai na dha një inkurajim për të parë në të ardhmen më shumë, se çfarë mund të kontribuonim e të ndërtonim; jo vetëm të ndërtonim kisha po edhe shoqërinë në tërësi, së bashku me marrëdhëniet ndërfetare, të cilat ai na i la amanet në mënyrën më solemne.

Ndërsa sot Papa Francesku nuk përballet me këto probleme. Papa Francesku vjen tani në një Shqipëri e cila, pranë të gjithë problemeve, që sigurisht çdo vend i ka në mënyra të ndryshme, ka një organizim, funksionon si një shtet me strukturat e veta mjaft solide, të organizuar dhe me një mbështetje ndërkombëtare dhe ka bërë shumë hapa.

Papa tani vjen sikur dëshiron të na thotë: Shikoni, tani rrugën e mirë e keni filluar, por kjo rrugë mund t'ju çojë në drejtime të ndryshme dhe se nuk është gjithçka për një shoqëri vetëm mirëqenia materiale. Ideologjia komuniste donte ta largonte njeriun me dhunë nga Zoti dhe të krijonte “Njeriun e Ri”, që ishte një rrezik i madh për shoqërinë dhe që e kemi provuar, por tani është një rrezik tjetër, është rreziku i materializmit, i konsumizmit, i oreksit për t'u pasuruar sa më shpejt, rreziku i injorimit të vlerave, pa të cilat nuk mund të ndërtohet një shoqëri solide. Këtu do të fokusohet ndoshta më shumë Ati i Shenjtë, se ne tani kemi më tepër nevojë të ringrejmë disa vlera që ne i kemi dhe i kemi trashëguar e që janë shumë të mira, por që janë në rrezik pikërisht nga kjo tendencë e materializimit, e mirëqenies së shpejtë, duke shkelur shpeshherë përmbi norma, shkelma që në një kohë tjetër do të ishin të pamenduara. Këto ndjenja rrezikojnë mirëqenien e këtij vendi dhe kësaj shoqërie. Papa do të na sjellë vëmendjen në këto tendenca dhe zëvendësimin e tyre me të tjerat që e bëjnë shoqërinë komplete si të tillë.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendet edhe ju, shoqëria shqiptare ka shumë probleme dhe varfëri. Si mendoni se do të pritet Papa nga një shoqëri e tillë me mungesa dhe ku do të përqëndrohen më fort mesazhet e tij?

Imzot Rrok Mirdita: Sigurisht që Papa nuk ka për t'i anashkaluar edhe nevojat materiale. Në Shqipëri diktatura u përpoq të eleminojë Zotin, besimin dhe vlerat humane ku mbështetet një besimtar. Sot panorama është krejtësisht tjetër. Megjithatë, aktualisht brenda një kohe relativisht shumë të shkurtër është rritur numri i të varfërve dhe numri i të pasurve. Numri i të varfërve është rritur shumë më tepër se ai i të pasurve. Kjo nuk është e shëndetshme për një shoqëri, por mund të jetë edhe e rrezikshme. Njerëzit duan të kenë kushtet më minimale të jetesës së tyre. Papa Francesku është një zë, që tashmë e tërë bota e ka marrë vesh angazhimin e tij ndaj të varfërve. Nga fillimi i Pontifikatit të tij ka dhënë shenja të prekshëm, të fortë e të qartë të interesimit, ka apeluar dhe na ka dhënë vetë shembuj të shkëlqyeshëm ne hierarkisë kishtare se sa duhet të interesohemi paralelisht jo vetëm për shpirtin e njerëzve, - që është në kontekstin e jetës së amëshuar, misioni i parë për çdo bari shpirtëror, - por njëkohësisht edhe për mirëvajtjen e tyre materiale, sidomos të atyre që janë të margjinalizuar e që vuajnë edhe nga nevojat më elementare njerëzore dhe që ne do të përqëndrohemi.

Ai e ka dhënë këtë shembull në mënyrën më spektakolare. Mendoj se edhe këtu është me rëndësi të madhe që një udhëheqës i atyre përmasave ta sjellë vëmendjen tonë e të shoqërisë, të gjithë atyre që e drejtojnë shoqërinë, që derisa ndërtoni dhe mundoheni të ndërtoni me plot të drejtë një shoqëri me perspektivë dhe e denjë të renditet në shoqëritë e tjera të Europës së zhvilluar perëndimore, mos harroni këtë, që andej e kanë harruar dhe ngadalë po reflektojnë se jo gjithçka mund të arrihet vetëm nëpërmjet dëshirave, projekteve, dhe as se mjafton që njeriu të ketë një bazë të pasurisë materiale dhe mund të jenë të lumtur.

Një fokus më i madh duhet në këto nevojat e tjera shpirtërore dhe t'i ruajmë, sepse Shqipëria është shembull, sikur tha Papa Gjon pali i Dytë, për harmoninë fetare, një shembull në rajon. Ai na ka rekomanduar botërisht si një model për vendet që ishin të trazuara, të shqetësuara pikërisht prej këtyre marrëdhënieve jo të drejta dhe të manipuluara nga njerëzit që donin pushtet. Sot ne jemi model si shoqëri edhe për sa i takon familjes. Falenderojmë Zotin, që në Shqipëri struktura familjare, sado që ka pësuar lëvizje dhe tronditje, përsëri mund të shërbejë si model; këtë e kanë thënë edhe të tjerë, - nga mënyra se si familjet solidarizohen, bashkëjetojnë dhe ndihmojnë njëri tjetrin kurdo që është nevoja, edhe në familjet më të gjera. Por, në anën tjetër, familjet kanë ruajtur vlera, të cilat janë zbehur ose janë eleminuar krejt në botën e zhvilluar, që ne njohim. Mendoj se këtu Papa mund t'u thotë të tjerëve se ne mund të shërbejmë si një model për ta.

Zëri i Amerikës: Krahas figurës së mirënjohur dhe aktuale të Nënë Terezës, me rastin e kësaj vizite të Papa Franceskut në Shqipëri po dalin në dritë edhe shumë klerikë të njohur me origjinë shqiptare në shekuj. Si e vlerësoni këtë nismë?

Imzot Rrok Mirdita: Ne po ngrejmë lart gjithë ato figura, që kanë dhënë ndihmesën e tyre me dije dhe sakrifica në historinë e Shqipërisë dhe në çdo fushë; shtetërore, letrare, kishtare etj. Kisha me këto njerëz është plot e përplot. Jo aq para Papës, por përpara botës, e cila do të na përcjellë me shumë interes, jam i sigurtë, përmes punës së shumë gazetarëve nga shtëpitë më të mëdha të televizioneve dhe mediave të botës, ky është një çast që të dëgjojnë diçka edhe për historinë tonë. Është rasti të dëgjojnë diçka, sepse ky nuk është një popull, që nuk dihet se nga erdhi, apo se ra si një meteor, por ta mësojnë se ky është një popull me histori. Është me një histori, e cila fatkeqësisht nuk ka qenë në favor të një zhvillimi si shumë kombeve të tjera, por pranë tyre Shqipëria ka dhënë njerëz me famë deri Papa Klementin e Njëmbëdhjetë, i cili është një figurë universale e kishës. Ai ishte me origjinë shqiptare, por është ky një fakt historik me rëndësi, sepse në atë konstelacion të kishës, që ekzistonte në atë kohë, nuk ishte e lehtë të zgjidhej kush Papë, dhe duhej të dëshmonte cilësi shumë të theksuara, të jashtëzakonshme për të arritur deri aty.

Pastaj ka shumë e shumë figura të tjera të letërsisë dhe arteve, si për shembull 4 B-të e famshëm - Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani, e plot të tjerë. Ata të gjithë kanë dhënë një kontribut shumë të madh megjithë vështirësitë e mëdha të kohëve të ndryshme. Në mijëvjeçarin e parë Shqipëria ishte në kufirin ndërmjet Bizantit dhe Perëndimit, në mijëvjeçarin e dytë ishte ndërmjet Perëndimit dhe Perandorisë Otomane, si edhe gjatë diktaturës mbeti si satelit i botës socialiste markiste leniniste përballë botës tjetër perëndimore në zhvillim. Megjithë këto ndarje, kisha asnjëherë nuk është dorëzuar. Bijtë e saj më të zgjedhur e më të mirë e kanë ngritur zërin, qoftë drejtpërdrejt si dom Nikollë Kaçorri në qeverinë pavarësuese të Vlorës, qoftë në konferenca ndërkombëtare të paqes, të ambsadorëve, të Londrës etj., për pavarësinë dhe ruajtjen e Shqipërisë. Ata kanë qenë gjithmonë të pranishëm me të dy misionet: krahas detyrave kishtare, baritore, shpirtërore ata nuk e kanë lënë kurrë në harresë edhe detyrën, angazhimin e tyre për të ardhmen dhe të mirën e Atdheut.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG