Lidhje

Vazhdojnë hetimet për sulmin me armë në Kënektikat


Autoritetet amerikane ende nuk kanë konfirmuar motivet e autorit të masakrës në një shkollë fillore dje në Konektikat. Policia tha se autori i sulmit ka hyrë me forcë në mjediset e shkollës, para se të shtinte me armë zjarri në drejtim të nxënësve. Incidenti me armë zjarri në një shkollë fillore në qytetin Newtown la të vrarë 26 vetë, ndër të cilët 20 fëmijë. Qindra vetë u mblodhën dje në një kishë në qytet për të nderuar kujtimin e të vrarëve, ndërkohë që mbarë vendi është tronditur nga ngjarja. Presidenti Obama u shpreh në fjalimin e tij të përjavshëm në radio se çdo prind në Amerikë ka sot një zemër të rënduar nga dhimbja. Ai bëri thirrje për masa reale për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen.

Hollësitë mbi incidentin në shkollën fillore Sandy Hook në Njutaun të Kënektikatit vashdojnë të dalin. Policia po vazhdon të identifikojë viktimat dhe po heton motivet e krimit. Policia tha se autori i krimit është 20 vjeçari Adam Lanza i cili ishte veshur me një jelek anti-plumb dhe ishte i armatosur me tre armë gjysmë-automatike përfshirë një pushkë kur hyri në shkollë dhe vrau 26 persona, 20 prej të cilëve ishin fëmijë.

“Të gjithë ishin të frikësuar, qanin dhe në fakt unë isha e tronditur”, tha 8 vjeçarja Alexis Wasik.

Brenda 10 minutave ekipet e para të forcave speciale SWAT arritën në vendin e ngjarjes. Policia ndihmoi mësuesit e shkollës t’i nxjerrin qindra fëmijë nga shkolla dhe t’i strehojnë ata në një stacion të zjarrëfiksave aty pranë.

“Policët na thanë t’i mbyllnim sytë dhe të vraponim”, tha 9 vjeçari Ben Paley.

Pas njoftimeve për incidentin, presidenti Obama u njoftua mbi ngjarjen ndërkohë që policia kishte zbuluar skenën e dytë të krimit. Nëna e autorit të krimit Nancy Lanza, e cila besohet se ka punuar në shkollën Sandy Point, u gjet e vdekur në shtëpinë e saj.
Policia tha se Adam Lanza ka vrarë nënën e tij para se të shkonte në shkollën fillore Sandy Point ku vrau 26 persona, shumica prej tyre fëmijë. Më pas ai vrau veten.
Pak kohë pas ngjarjes, presidenti Obama iu drejtua vendit me një fjalim.

“E di që nuk ka asnjë prind në Amerikë që nuk ndjen të njëjtin pikëllim që ndjejë edhe unë. Shumica e atyre që kanë humbur jetën janë fëmijë të bukur nga mosha 5 deri 10 vjeçare”, tha presidenti Obama.

Ky është sulmi i dytë në shkollat amerikan që ka shkaktuar numër të madh viktimash. Gjatë një sulmi me armë në vitin 2007 në Universitetin Teknik të Virxhinias u vranë 32 persona.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG