Lidhje

Incidenti në Korenë e Jugut hedh dritë mbi spiunazhin ndërkombëtar

  • Steve Herman

Incidenti në Korenë e Jugut hedh dritë mbi spiunazhin ndërkombëtar

Incidenti në Korenë e Jugut hedh dritë mbi spiunazhin ndërkombëtar

Një incident në një hotel luksoz në Korenë e Jugut ofroi një shikim të shkurtër të botës së spiunazhit ndërkombëtar. Agjentë të Shërbimeve Kombëtare të Zbulimit, akuzohen se hynë me forcë në shkurt në dhomën e një anëtari të një delegacioni që përfaqësonte presidentin indonezian. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Herman njofton nga Seuli mbi pasojat e incidentit.

Autoritetet koreanojugore nuk kanë bërë komente dy muaj e gjysëm pas hyrjes me forcë në dhomën 1961 të Hotelit Lote në Seul.

Shtypi vendas tha se tre agjentë të shërbimeve të zbulimit u gjetën brenda hotelit, duke kërkuar në kompjuterat e delegacionit indonezian që kishte ardhur për vizitë. Treshja, që përbëhej nga dy burra dhe një grua arriti të ikte.

Në kohën e incidentit më 16 shkurt, delegacioni i kryesuar nga ministri i ekonomisë i Indonezisë, ndodhej në një takim me presidentin e Koresë së Jugut, Li Mjung-bak.

Dy vendet po negocionin një marrëveshje që kishte të bënte me eksportimin e teknologjisë së mbrojtjes në Indonezi, përfshirë aeroplanët supersonik për stërvitje.

Profesori i shkencave politike në Universitetin Dankook, Jung Jong-suk thotë se nuk ka dyshim se kush ishte prapa incidentit.

Zoti Jung beson se ky mision ishte kryer nga agjencia jugkoreane e zbulimit. Dhe duhet të konsiderohet si spiunazh industrial dhe jo politik.

Zoti Jung shpjegon se kjo është një fushë në të cilën qeveria e Koresë së Jugut është përqendruar për vite me radhë, sepse vendi është shumë i varur tek eksportet. Profesori thotë se Koreja e Jugut përballet me shumë konkurrencë mes vendeve që varen nga eksporti dhe për të qenë e para, spiunazhi industrial është qenësor dhe inkurajohet. Agjencia e zbulimit, thotë ai, bëri atë që duhet të bënte, por fatkeqësisht u zbulua gjatë operacionit.

Zyrtarët e Shërbimit Kombëtar të Zbulimit, në përgjigje të pyetjeve nga Zëri i Amerikës dhe media të tjera, kanë mohuar vazhdimisht se agjentët e saj ishin përgjegjës për incidentin.

Një pjesëtar i komunitetit koreanojugor të zbulimit, duke folur me Zërin e Amerikës nën kushtin që të mbetej anonim, konfirmoi se incidenti i ka bërë kolegët e tij që të vënë në pyetje profesionalizmin e disa prej kolegëve të tyre.

Komisioneri i policisë kombëtare, Cho Hjun-oh, u tha gazetarëve se dënimi i personave përgjegjës nuk do të ishte praktik nëse do të zbulohej se ata ishin me të vërtetë operativë të zbulimit koreanojugor. Ai tha se kjo ishte çështje interesi kombëtar.

Një ish zyrtar amerikan zbulimi dhe një diplomat në pension, që kanë punuar në rajon por nuk duan të identifikohen, thanë se incidenti ishte i turpshëm për Korenë e Jugut. Ata thanë se operacione të tilla ndodhin gjithnjë, por operativët rrallë kapen ngaqë kanë metoda survejimi të zonës ku operojnë. Zyrtarët shprehën çudi që incidenti arriti të bëhej publik.

Drejtori ekzekutiv i Muzeut Ndërkombëtar të Spiunazhit në Uashington, oficer veteran i CIAs Peter Ernest, shpjegoi se operacione të tilla klandestine janë bërë shumë të zakonshme.

“Me globalizimin dhe konkurrencën globale do të shohim më shumë raste të tilla. Disa qeveri të tjera janë të gatshme të përdorin aparatin e tyre qeveritar të zbulimit për të ndihmuar industritë e tyre kryesore.”

Agjencia jugkoreane e spiunazhit ka hasur kritika të shumta nga media, jo për atë që po përpiqej të bënte në Hotelin Lote, por për kapjen në flagrancë.

Disa gazeta të njohura, si dhe politikanë nga të gjitha krahët, bënë thirrje për dorëheqjen e kreut të Shërbimit Kombëtar të Zbulimit të Koresë së Jugut.

Presidenti Li zëvendësoi muajin e kaluar dy nga tre zëvendës drejtorët e agjencisë.

Incidenti ka dëmtuar edhe reputacionin e një prej hoteleve më prestigjioze të Seulit. Një zëdhënës i Hotelit Lote pranoi se incidenti ka ndodhur, por nuk pranoi të bënte komente të tjera duke thënë se policia e kishte çështjen nën hetim. Ai thotë se nuk ka pasur rënie në rezervime si rezultat i publicitetit negativ.

Profesori Jung nga Universiteti Dankook thotë se është i sigurt se hoteli ka pasur përplasje me agjencinë e spiunazhit.

Zoti Jung thotë se kjo ndodh për shkak të situatës unike të Koresë së Jugut. Vendi është përballur me kërcënime të vazhdueshme nga Koreja e Veriut për më shumë se gjysëm shekulli, dhe se mentaliteti koreanojugor është i përqendruar tek mbrojtja e sigurisë kombëtare. Prandaj, departamenti i sigurisë së hotelit, thotë ai, do ta kishte pranuar me dëshirë kërkesën e agjencisë së zbulimit, pa nevojën e trysnisë qeveritare apo për përfitimeve financiare.

Ish operativi i CIA-s Ernest, i cili ka punuar për dy dekada në shërbimin klandestin të agjencisë, paralajmëron se çdo klient i rëndësishëm i një hoteli, duhet të supozojë se gjërat që lë në dhomë mund të shqyrtohen nga spiunët e qeverisë.

“Nëse një shërbim do të hyjë në një dhomë, hoteli ka të ngjarë të mos e kundërshtojë. Nëse në dhomë ka një kasafortë, mund të lësh portofolin dhe gjëra të tjera. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ata nuk mund të gjenden nga njerëz të tjerë që mund të arrijnë të kenë qasje.”

Por njerëz brenda shërbimeve të zbulimit, si zoti Ernest, ia vënë fajin pjesërisht për atë që ndodhi në dhomën 1961 të Hotelit Lote edhe indonezianëve. Ata thonë se asnjë klient i hotelit që ka dokumenta konfidencialë nuk duhet t’i lërë ato pa i pasur nën vëzhgim. Dhe kompjuterat që mund të merren me vete nuk duhet të lihen në dhomë që njerëz të tjerë të mund t’i shikojnë.

XS
SM
MD
LG