Lidhje

Kryeministi kinez fillon vizitën në Indi


Kryeministri i Kinës Li Keqiang fillon sot një vizitë tri ditëshe në Indi. Vizita e tij zhvillohet në një kohë tensionesh në rajonin kufitar të Himalajeve, por dy fuqitë aziatike po përpiqen ta largojnë vëmendjen nga mosmarrëveshjet:

Zyrtarët në Nju Delhi thonë se vlerësojnë faktin që kryeministri kinez Li Kequiang ka zgjedhur Indinë si vizitën e parë ndërkombëtare si kreu i qeverisë kineze.

Syed Akbaruddin është zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Indisë:

"Ne e vlerësojmë lart këtë gjest. Synimi i vizitave dhe takimeve të tilla është të nxisin mirëbesimin mes dy qeverive dhe popujve tanë dhe të demonstrojë respekt për shqetësimet e palës tjetër”.

Kryeministri kinez dhe homologu i tij indian Manmohan Singh, pritet të diskutojnë mënyra për të zbutur mosmarrëveshjet kufitare – një ndër shkaqet e mosbesimit mes dy vendeve.

Vizita e udhëheqësit kinez zhvillohet kur kanë kaluar më pak se dy javë pasi dy palët mbyllën një ballafaqim të tendosur kufitar, që filloi kur India protestoi me forcë ndaj asaj që e cilësoi si inkursion kinez në rajonin Ladakh të Himalajeve. Tensionet u qetësuan kur të dyja palët rivendosën status kuonë.

Që nga ajo kohë, dy vendet kanë ndërmarrë hapa për pajtim dhe kanë treguar gatishmërinë për të përshpejtuar zgjidhjen e problemit të demarkacionit të vijës kufitare. Një numër raundesh me takime e bisedime që nga vitet 1990 nuk kanë sjellë shumë përparim.

Megjithëse problemi i kufirit do të zërë një vend më të spikatur në bisedime se më parë, një element i rëndësishëm i vizitës do të jenë lidhjet ekonomike mes dy ekonomive të mëdha aziatike.

Kryeministri Li do të shoqërohet nga një delegacion i madh me përfaqësues të biznesit dhe do të vizitojë qendrën financiare të Indisë, Mumbai, ku do të takohet me udhëheqës të biznesit si dhe do të vizitojë kompaninë më të madhe elektronike të Indisë Tata Consultancy Services.

Udhëheqësit indianë pritet të kërkojnë nga kryeministri Li të bëjë më shumë për të korigjuar deficitin tregtar. Megjithëse shkëmbimet tregtare arritën 76 miliardë dollarë vjet, ka shqetësime në Nju Delhi se ky aktivitet është në disbalancë në favor të Kinës.

Nju Delhi kërkon hapjen më të madhe të tregut kinez për kompanitë e tij elektronike dhe farmaceutike, ku India ka avantazh. Zyrtarët indianë janë shprehur optimistë se mund të shihen së shpejti rezultate pozitive.

Alka Acharya, profesor i studimeve kineze në Universitetin Jawaharlal Nehru të Nju Delhit, thotë se shkëmbimet ekonomike janë një faktor dinamik i marrëdhënieve Indi-Kinë:

"Tani kemi një komunitet të madh sipërmarrësish që bëjnë aktivitet në të dy vendet. Aktiviteti shtrihet në një hapësirë të gjerë, jo vetëm në shkëmbimet tregtare, por nëse arrihet përparim në disa prej problemeve të bezdishme, atëherë mund të arrihet përparim me investime dhe partneritete biznesi”.

Zyrtarët indianë thonë se për Nju Delhin përparësia gjatë kësaj vizite është vendosja e marrëdhënieve me administratën e re në Kinë.
XS
SM
MD
LG