Lidhje

Sulmohet baza ushtarake indiane


Pathankot, Indi

Pathankot, Indi

Sulmues të armatosur, që mendohet se janë militantë nga Pakistani, sulmuan sot gjatë gjithë ditës një bazë të forcave ajrore indiane në shtetin Punjab, pranë kufirit me Pakistanin. Zyrtarë indianë të sigurisë mendojnë se sulmuesit janë anëtarë të “Ushtrisë së Muhamedit”, një grupim militant që kërkon pavarësinë e rajonit të Kashmirit.

Zyrtarët thonë se të paktën katër nga sulmuesit dhe dy ushtarë humbën jetën gjatë përplasjes me armë në bazën Pathankot të forcave ajrore, në shtetin Punjab.

“Pakistani është një vend fqinj me të cilin dëshirojmë marrëdhënie paqësore. Sidoqoftë, çdo sulm militant ndaj Indisë do të marrë përgjigjen e duhur,” u shpreh Ministri i Brendshëm i Indisë, Rajnath Singh.

Sulmi ndodhi ndërkohë që në Indi janë rritur masat e sigurisë ditët e fundit, pasi u sulmua një zyrtar i policisë.

“Pasi u rrëmbye makina e një shefi të policisë dhe pas këtij sulmi të militantëve, rajoni Punjab është vendosur në gjendje alarmi. Kemi vendosur postblloqe dhe po kontrollojmë makinat,” thotë Surinder Singh, oficer i postës së policisë në Sarabha Nagar.

Sulmi u krye vetëm një javë pasi Kryeministri indian Narendra Modi bëri një vizitë të papritur historike në Pakistan, ku u takua me Kryeministrin Nawaz Sharif.

Vizita u pa si një shenjë përmirësimi të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje me arsenal bërthamor.

India ka akuzuar Islamabadin se armatos dhe trajnon kryengritësit që luftojnë për shkëputjen e rajonit të Kashmirit prej Indisë, dhe bashkimin e tij me Pakistanin.

XS
SM
MD
LG