Lidhje

Indi: Akuza kundër një stacioni televiziv


Policia indiane njoftoi sot se ka paraqitur akuza kundër një stacioni televiziv që ka transmetuar një intervistë me një prej viktimave të sulmit tronditës në një autobus në Nju Delhi. Viktima e intervistuar ishte miku i studentes 23-vjeçare që u torturua në mënyrë brutale dhe vdiq nga plagët në spital. Policia thotë se akuzat ngrihen pasi intervista që zhvilloi stacioni Zee TV mund të çojë në identifikimin e viktimës, e cila në bazë të ligjit duhet të mbetet anonime.

Indentiteti i viktimës është mbajtur sekret deri tani. Por nuk ka më garanci për anonimitet, pas intervistës së shoqëruesit të vajzës nga stacioni Zee TV:

“Do të kishim një skenar krejt tjetër nëse një njeri i vetëm do të na kishte dalë në ndihmë atë ditë. Ka nevojë për ndryshim në planin individual dhe në sistem. Autoritetet që drejtojnë këtë sistem, nëse kanë një fije ndërgjegje, duhet ta kuptojnë se ndryshimi është i nevojshëm”.

Një përfaqësues i Shoqatës për Reforma Demokratike, që mbikqyr qëndrimin e kandidatëve politikë ndaj ligjit, thotë se nuk është për t’u çuditur që përdhunimeve nuk u kushtohet vëmendja e duhur në Indi:

“Thirrjet e dëshpërimit nga një vend i tërë për këtë përdhunim në grup në Nju Delhi pasqyron një mungesë të plotë qeverisjeje në vend. Zhgënjimi nuk drejtohet vetëm ndaj qeverisë, por ndaj të gjithë politikanëve. Prova qëndron në faktin që pesë anëtarë të asambleve të ndryshme lokale përballen me akuza për përdhunim”.

Incidenti i 16 dhjetorit zgjoi protesta mbarëkombëtare me thirrjet për qëndrim të rreptë nga qeveria dhe policia në rastet e sulmeve seksuale.

Shoqëruesi i vajzës që vdiq, i cili vetë u rrah nga grupi i burrave në autobus, thotë se njerëzit mund ta nderojnë kujtimin e studentes duke vazhduar presionin dhe thirrjet për ndryshim.

Autoritetet indiane i kanë akuzuar pesë nga të pandehurit për vrasje, përdhunim, rrëmbim dhe akuza të tjera. Prokurorët thonë se do të kërkojnë dënimin me vdekje nëse ata shpallen fajtorë. Një person i gjashtë, i dyshuar për përfshirje në incident, është nën 18 vjeç dhe do të nxirret para gjykatës për personat minorenë.

XS
SM
MD
LG