Lidhje

Indi: Gjyqi i akuzuarve për përdhunimin e studentes


Gjyqi ndaj pesë burrave të akuzuar për përdhunimin mizor dhe vdekjen e një studenteje 23 vjeçare në Nju Delhi filloi me procedura të përshpejtuara në një gjykatë për krimet kundër grave.

Fillimi i gjyqit sot u shty për më shumë se një orë, ndërsa avokatët mbrojtës argumentuan se gjyqi duhet të ishte i hapur për median dhe publikun. Gjykatësi e kundërshtoi kërkesën. Argumentat e palëve do të fillojnë të enjten.

Avokatët mbrojtës të dy prej pesë të akuzuarve thonë se klientët e tyre do të deklarojnë se janë të pafajshëm. Ata thanë se ata u torturuan nga policia për t’i detyruar të pranonin fajin.

Prokurorët thanë se provat e ADN-së, të dhënat e telefonëve celularë dhe dëshmitë e viktimës do të vërtetojnë fajësinë e të pandehurve. Një prokuror i lartë tha se do të kërkojë dënimin me vdekje për pesë burrat. I akuzuari i gjashtë do të gjykohet nga një gjykatë për të miturit.

Gjykata e Lartë e Indisë do të vendosë të martën për një apelim të kërkuar nga një prej pesë të akuzuarve për ta zhvilluar gjyqin jashtë Nju Delhit, me arsyetimin se gjykimi nuk mund të jetë i drejtë në qytetin, ku ndodhi sulmi i16 dhjetorit.
XS
SM
MD
LG