Lidhje

Ndikimi i vendimit të Indisë për patentën e ilaceve


Kohët e fundit, një vendim historik i gjykatës së lartë të Indisë hodhi poshtë një kërkesë të kompanisë farmaceutike zvicerane Novartis për të zgjatur afatin e patentës për ilaçin e saj Glivec kundër kancerit. Vendimi shihet si një goditje ndaj kompanive farmaceutike perëndimore që kërkojnë të mbrojnë interesat e tyre financiare. Ekspertët thonë se kjo mund të nxisë kompanitë farmaceutike në vende të tjera të prodhojnë variante me çmim të ulët të medikamenteve të firmave me emër. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jessica Berman njofton.

India nuk është i vetmi vend që prodhon versione me çmim të ulët të ilaçeve të rëndësishme dhe popullore. Argjentina dhe Filipinet kanë miratuar ligje të rrepta që kufizojnë mbrojtjen e patentave për ilaçet e kompanive amerikane dhe evropiane me emër, përfshi medikamente që trajtojnë virusin HIV që shkakton Sidën.

Patentat i lejojnë kompanitë që prodhojnë ilaçin të ruajnë të drejta ekskluzive për t’i shitur ato me një çmim më të lartë për një periudhë të caktuar kohe, në mënyrë që ato të rikuperojnë kostot e prodhimit të ilaçit. Firmat farmaceutike perendimore thonë se këto të ardhura kanë rëndësi në mënyrë që ato të jenë në gjendje të prodhojnë medikamente në të mira.

Në rastin e Indisë, Novartis dështoi pas 7 vjetësh të bindte gjykatën e lartë se kishte bërë ndryshime në ilaçin Glivec, që përdoret gjerësisht kundër leuçemisë, ndryshime sipas saj të rëndësishme për të garantuar zgjatjen e patentës dhe të drejtat ekskluzive të marketingut.

Tahir Amin është drejtor i një organizate jo-fitimprurëse me seli në Nju Jork të quajtur Initiative for Medicines, Access and Knowledge, që punon në mbrojtje të pacientëve për të patur qasje ndaj ilaçeve. Amin thotë se rasti i Indisë ka të ngjarë të ketë ndikime të mëdha.

“Një numër vendesh do të shohin këtë rast dhe do të thonë, “India nuk u dorëzua,” dhe do të kuptojnë se në fakt nëse India i qëndron pak më fort parimeve të veta në përballjet me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, vendet e tjera do të mbajnë të njëjtin qëndrim dhe do të thonë, 'Kjo është në interesin e publikut dhe të shëndetësisë sonë që janë pothuajse të ngjashme.'”

India eksporton çdo vit ilaçe me çmim të ulët me një vlerë prej gati 10 miliard dollarësh, dhe së bashku me Kinën prodhon gati 80 përqind të përbërësve që përdoren për prodhimin e ilaçeve në Shtetet e Bashkuara. India prodhon gjithashtu versione me çmim të ulët të shumë ilaçeve të rëndësishme.

Novartis dhe kompani të tjera farmaceutike thonë se vendimi i gjykatës indiane mund t’i detyrojë ato të tërheqin nga India investimet për kërkime në këtë fushë.

Mark Grayson është zëdhënës i shoqatës Kërkimet dhe Prodhimet Farmaceutike të Amerikës, që përfaqëson prodhuesit e ilaçeve.

“Jemi të zhgënjyer nga ky vendim pasi kjo tregon një përkeqësim të mëtejshëm të mjedisit novator në Indi.”

Versionet me çmim të ulët mund të shiten për shumë më pak para se sa ilaçet me emër. Për shembull, Glivec mund t’i kushtojë një pacienti gati 70,000 dollarë në vit, ndërsa versionet indiane me çmim të ulët kushtojnë rreth 2,500 dollarë.

Grayson beson se pacientët që mund të përballojnë një ilaç si Glivec duhet të paguajnë çmimin e lartë.

"Ne besojmë se duhet të gjejnë mënyra për t’i bërë ekonomitë në rritje të paguajnë pjesën e tyre për barnat e reja dhe koston që duhet për të prodhuar një ilaç."

Grayson thotë se 95 përqind e pacientëve në Indi që nuk mund ta përballojnë financiarisht Glivecin mund ta marrin atë falas nga një program i ashtuquajtur "kujdesi i mëshirshëm" që drejtohet nga Novartis.

Por Tahir Amin thotë se pacientët me kancer kanë njoftuar se është e vështirë ta marrësh ilaçin falas.

“Në se mbetesh në mëshirën e filantropisë, shumica e njerëzve nuk do ta marrin ilaçin. Ne e kemi parë këtë edhe në raste të tjera, kur thonë që kemi programe ndihme të kësaj natyre. Por vetëm një përqindje e popullatës e merr atë.”

Por duke qenë se kostot e krijimit dhe prodhimit të ilaçeve disa herë e kalojnë shifrën e një miliard dollarëve, Grayson është i shqetësuar se vendimi i Indisë dhe të tjera që do të pasojnë, mund të ngadalësojnë ritmin me të cilin ilaçet e reja mjaft të rëndësishme do të mund të arrijnë të dalin në treg.
XS
SM
MD
LG