Lidhje

India ka hedhur në gjyq 21 kompani intreneti mes tyre Google dhe Facebook

  • Anjana Pasricha

India ka hedhur në gjyq 21 kompani intreneti mes tyre Google dhe Facebook

India ka hedhur në gjyq 21 kompani intreneti mes tyre Google dhe Facebook

Në Indi, kompanitë gjigande Google dhe Facebook po përballen me një çështje gjyqësore mbasi qeveria autorizoi ndjekjen e tyre penale për përmbajtjen e materialeve në faqet e tyre në internet. Kjo çështje ka hedhur dritë mbi gjendjen e lirisë së shprehjes në këtë vend.

Çështja penale e ngritur nga redaktori i të përjavshmes Akbari në gjuhën urdu në Nju Delhi akuzon 21 kompani interneti për shkelje të ligjit indian. Vinay Rai ka ngritur akuzën, sipas së cilës materialet e shfaqura në faqet e kompanive të internetit kanë përmbajtje që nxisin konfliktet ndërfetare.

Zoti Rai thotë se kolegët e tij i tërhoqën vëmendjen tek disa imazhe të Profetit Muhamed, çka fyen muslimanët. Ai citon dhe imazhe e tekste të tjera të cilat mund të lëndojnë ndjenjat e hinduve dhe të krishterëve. Ai do që kompanitë e Internetit të kontrollojnë përmbajtjen e asaj që do të publikojnë.

Kompanitë e internetit Google dhe Facebook i kanë kërkuar Gjykatës së Lartë në Dehli që të ndalojë çështjen kundër tyre. Në një apelim që i kanë bërë akuzës ndaj tyre, ata thonë se është e pamundur që të filtrojnë të gjitha materialet ose të pengojnë hedhja e tyre në internet nga përdoruesit.

Redaktori Rai e bëri padinë mbasi qeveria dha miratimin e saj për këtë akuzë.

Ministri i telekomunikacionit Kapil Sibal u tha përfaqësuesve të kompanive të internetit që të vinin me idetë e tyre se si mund të bllokohen materialet fyese për të mos u hedhur në rrjet, mbasi i ballafaqoi ata me foto dhe materiale nënçmuese për kryeministrin indian Manjoman Singh dhe udhëheqësen e Partisë së Kongresit Sonja Ghandi. Ai tha se kompanitë nuk kanë bashkëpunuar.

Si çështja gjyqësore, edhe kërkesa e qeverisë indiane kanë ngjallur frikën e censurimit të rrjeteve në demokracinë më të madhe të botës.

Grupet e të drejtave thonë se mosmarrëveshjet mes autoriteteve dhe faqeve të internetit nisën vitin e kaluar kur India forcoi ligjet për bllokimin e materialeve me përmbajtje që mund të klasifikohet si fyese. Qytetarë dhe zyrtarë mund t’u kërkojnë faqeve të internetit të bllokojnë materiale të ndryshme dhe nëse nuk i binden kërkesës brenda 36 orëve mund të përballen me gjoba ose me burgim deri në 7 vjet.

Sunil Abraham me Qendrën për Internetin dhe Shoqërinë në Indi thotë se këto rregulla ka mundësi që të pakësojnë debatin dhe diskutimet në internet.

“Kufizimet janë të paqarta. Parashikojmë që kjo mund të sjellë një efekt armiqësor ndaj lirisë së shprehjes në internet... Policia në Indi ka marrë një drejtim shqetësues në lidhje me këtë çështje”.

Zoti Abraham theksoi se një nga studimet e fundit të organizatës tregon se kërcënimi për gjoba të ashpra ka detyruar shumë faqe interneti që të heqin materiale për të cilat u është kërkuar të bllokohen, edhe nëse ato nuk janë fyese ose polemizuese.

Qeveria këmbëngul se objektivi i saj nuk është që të shkelë të drejtën themelore të lirisë së fjalës e cila është e garantuar nga kushtetuta demokratike e Indisë. Sqarimi për këtë çështje vjen nga ministri Kapil Sibal pas takimit të tij me kompanitë e Internetit muajin e klauar.

“Kjo qeveri nuk beson tek cencsura. Gjithashtu kjo qeveri nuk beson as në ndërhyrjen direkte ose indirekte në lirinë e shtypit, dhe ne e kemi demonstruar këtë gjë disa herë”.

India ka një media të lirë dhe vitale dhe qasja në internet është kryesisht e lirë, në dallim nga Kina. Por në një vend me një histori konfliktesh fetare, autoritet janë në dilemën e gjetjes së ekuilibrit mes fjalës së lirë dhe nevojës për të mos prekur tema delikate për grupet fetare. India ishte një prej vendeve të para që ndaloi veprën e Salman Ruzhdiut “Vargjet satanike”.

Edhe libra e artikuj të tjerë janë ndaluar. Mjaft prej tyre janë ende në gjykim, ndërsa për disa të tjerë çështjet janë mbyllur. Tani vëmendja është përqëndruar tek interneti dhe pyetjet e ngritura janë nëse interneti duhet ose mund të kontrollohet.

Në një thënie të cituar shpesh në shtypin vendas, një gjykatës në një seancë gjyqësore paralajmëroi se edhe India sikurse Kina, mund të detyrohet që të bllokojë disa prej faqeve të internetit nëse ato nuk zotërojnë mjete për të frenuar materialet që mendohet se janë fyese.

Gjithsesi, zoti Abraham nga Qendra e Internetit dhe Shoqërisë shpreson se, liria e shprehjes në internet do të dalë fitimtare në këtë debat.

“Qeveria ka qenë gjithmonë konservatore për lirinë e fjalës. Gjykatat zakonisht kanë mbrojtur lirinë e shprehjes në Indi, ky është preçedenti. Ndaj mendoj se si në të shkuarën, sistemi gjyqësor në Indi do të qëndrojë në anën e lirisë së shprehjes”.

Me 100 milionë përdorues të internetit, India renditet në vendin e tretë në botë me numrin më të madh të përdoruesve të Internetit mbas Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG