Lidhje

Sulme terroriste në Xhakartë


Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmet e sotme të kordinuara në kryeqytetin indonezian, ku humbën jetën shtatë vetë, duke përfshirë të pesë personat që sulmuan. Dhuna filloi me një seri shpërthimesh pranë një zone të rëndësishme ku gjendet një qendër tregtare si dhe blloku i ambasadave.

Agjencia e Lajmeve Aamaq e lidhur me grupin terrorist të vetquajtur Shteti Islamik, thotë se sulmet në lagjen e rëndësishme në qendër të Xhakartës, kishin si objektiv shtetasit e huaj dhe forcat e sigurisë që kanë për detyrë t’i mbrojnë ata.

Dhuna filloi me një seri shpërthimesh në orët e mëngjesit në zonën pranë një qendre tregtare, hoteleve luksoze e ambasadave. Sipas njoftimeve, pati gjashtë shpërthime. Ja si shprehet dëshmitari Eliaz Warre:

“Po ngisja motorin kur ndodhi një shpërthim pranë policisë. Pashë njerëz që vraponin dhe dy trupa të përgjakur në tokë. Pashë dy njerëz në motoçikletë me çanta shpine, ishin ata që hodhën bombën.”

Njerëzit nëpër rrugët e Xhakartës nxituan të fshiheshin ndërsa militantët shkëmbyen zjarr me forcat e policisë gjatë ditës. Pasdite vonë, autoritetet deklaruan se incidenti kishte përfunduar.

Joko Widodo është president i Indonezisë:

“Shprehim ngushëllime për familjarët e viktimave. I dënojmë veprimet që prishin sigurinë publike dhe paqen mes njerëzve dhe mbjellin terror.”

Një shpërthim pranë një kafeneje bëri që rrjeti i kompanisë Starbucks të mbyllte të gjitha lokalet në Xhakartë për arsye sigurie.

Besohet se qindra indonezianë kanë shkuar në Siri dhe Irak për tu bashkuar me grupin Shteti Islamik.

XS
SM
MD
LG