Lidhje

Industria e midhjeve në Luziana vazhdon të përballet me vështirësi


Kanë kaluar gati dy vjet nga aksidenti që ndryshoi jetën e vëllezërve Collins. Nick dhe vëllai i tij Paul janë brezi i katërt i kultivuesve të midhjeve. Ata thonë:

“Në 90 për qind të sipërfaqes së prekur nga rrjedhja e naftës, kemi parë vetëm guacka të ngordhura”.

Ashtu si djali i tij 12-vjeçar, Nick ka punuar në biznesin e familjes që në moshë të re. Ai nuk është i sigurt nëse mund ta sigurojë djalin i tij se ai do të ketë të njejtën siguri pune siç veproi babai i tij .Ai thotë:

“Babai im donte që unë të vazhdoja studimet e larta, por unë nuk shkova në universitet, i thashë “ku të shkoj”? Unë do të merrem me kultivimin e midhjeve. Kjo është tradita e familjes sonë”.

Menjëherë pas fatkeqësisë, u krijua një fond prej 20 miliardë dollarësh për të kompensuar ata që u dëmtuan nga fatkeqësia. Kompania Collins Oyster mori 44 mijë dollarë nga ky fond. Nick mori 14 mijë dollarë, por ai thotë se kjo nuk mjafton. Nick Collins thotë:

“BP duhet të pranojë përgjegjësinë dhe të thotë “Ne mbytëm industrinë e midhjeve në Luiziana. Kjo është e vërtetë. Luiziana prodhonte 80 për qind të midhjeve në Shtetet e Bashkuara. Tani ne nuk kemi këtë prodhim”.

Juristi nga Uashingtoni Kenneth Feinberg u caktua nga kompania BP dhe administrata e presidentit Obama për të zbatuar dhe administruar fondin. Nick dhe shumë të tjerë në zonë e kanë kritikuar shpërndarjen e fondeve, por zoti Feinberg thotë se kritikat janë pjesë e procesit. Ai thotë:

“Duhet ta kuptoni se njerëzit kanë vuajtur tmerrësisht. Ka pasur vdekje, plagosje, humbje financiarisht. Duhet t’i dëgjojmë shqetësimet dhe kërkesat e tyre me kujdes dhe të përpiqemi t’i kuptojmë ata, por në fund puna duhet të bëhet në mënyrë profesionale. Kjo është kërkuar dhe tani kjo duhet bërë”.

Para rrjedhjes së naftës, kompania Collins Oyster prodhonte mesatarisht 60-80 thasë me midhje në ditë baraz me 2700-3600 kilogram midhje. Vitin e kaluar, gjërat u përkeqësuan dhe përkohësisht kompania u detyrua të mbyllej.

Kompania ku vëllezërit Collins shisnin midhjet për dekada nuk i blinte më midhjet e tyre.

Al Surseri, i cili së bashku më vëllain e tij drejton kompaninë P & J Oyster Processors and Distributors, thotë se ai tani ka vetëm dy punëtorë me orar të reduktuar. Ai thotë se gjëja më e vështirë ishte pushimi nga puna i njerëzve me të cilët ishte rritur:

“Ata nuk ishin thjeshtë punëtorë, ata ishin anëtarë të familjes. Ne njihnim familjet dhe fëmijët e njeri tjetrit. Kjo ishte një nga gjërat më të vështira për mua në aspektin emocional”.

BP kohët e fundit bëri një deklaratë duke thënë se tani ka arritur një zgjidhje për kompensimin e viktimave të rrjedhjes së naftës. Por Nick thotë se ai nuk ka marrë asgjë. Derisa të marrë kompensimin, ai ka në plan të përmbush nevojat e familjes dhe të mbajë gjallë shpresat për vete dhe brezat e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG