Lidhje

Industria elektronike gjen terren mikëpritës në Los Anxhelos

  • Elisabeth Lee

Përveç industrisë së filmit, në këtë qytet kanë gjetur strehim edhe shumë kompani të reja elektronike

Rajoni Silicon Valley pranë San Franciskos njihet si qendër e teknologjisë elektronike. Aty kanë zyrat qendrore kompani të mëdha si Google dhe Facebook. Por shumë sipërmarrës të rinj po zgjedhin zonën bregdetare Silicon Beach në Los Anxhelos për të ngritur kompanitë e tyre:

Njerëz nga e gjithë bota vijnë në pjesën perëndimore të Los Anxhelosit për motin me diell dhe plazhet e bukura. Por kjo zonë ka tërhequr edhe Greg Spiridellis dhe vëllain e tij për të ngritur kompaninë e tyre elektronike JibJab:

“Jemi pak metra larg bregut. Temperatura është 22 gradë celcius dhe moti është me diell çdo ditë”.

Spiridellis e solli kompaninë nga Nju Jorku në Los Anxhelos 10 vjet më parë, pasi kriza në sektorin elektronik thuajse e zhduku nga ekzistenca biznesin e tij. Ardhja në Los Anxhelos e rigjallëroi kompaninë dhe i solli famë të gjerë me video për garën presidenciale 2004.

“Kur u zhvendosëm në Los Anxhelos, nuk ekzistonte ky komunitet informaticienësh”.

Por 3-4 vjet më parë, kompani të reja teknologjike filluan të shfaqen, thotë profesori i Universitetit të Kalifornisë së Jugut Ashish Soni.

“Papunësia dhe rënia ekonomike e viteve 2008-2009 shtyu shumë njerëz të lënë karrierën në kompani të tjera dhe të përpiqen të krijojnë biznesin e tyre”.

Që nga ajo kohë numri i kompanive të reja teknologjike është shtuar tej mase dhe pjesa më e madhe e tyre janë vendosur në një brez bregdetar prej 5 kilometrash nga Santa Monika në Venis, një zonë që është pagëzuar me emrin Silicon Beach.

Shumë specialistë në Silicon Beach thonë se jetesa në këtë zonë bregdetare me mot të ngrohtë është arsyeja kryesore që i solli këtu.

Sektori i prodhimit industrial në Los Anxhelos si dhe dy porte të mëdhenj që bazohen tek tregtia me Azinë lindore e kanë bërë këtë zonë tërheqëse për tregtinë elektronike.

Në brigjet e Los Anxhelosit gjen edhe plot firma statistikash dhe analize.

Sipërmarrësit thonë se një tjetër arsye përse kanë zgjedhur të vendosen në Los Anxhelos dhe zonën Silicon Beach në vend të Silicon Valley është fakti që Hollivudi është fare pranë.

Pjesa më e madhe e efekteve speciale për filmat krijohen në Venis thotë Bret O’Brien, themelues dhe drejtues i kompanisë Viddy, e cila ndihmon përdoruesit të shkëmbejnë video:

“Specialistët më të talentuar në botë që nga regjisura e deri tek kinematorgrafia kanë zyrat në Venis”.

Kompania Viddy ka tërhequr 38 milionë përdorues brenda një viti, pjesërisht falë Hollivudit:

“Kemi përfitime nga fakti që punojmë në një zonë ku ka kaq shumë njerëz të famshëm e të talentuar, pasi ndikojnë tek biznesi ynë krijues këtu në Kalifoninë e jugut. Kemi një avantazh të madh në konkurim”.

Analistët e kësaj industrie thonë se megjithëse ky sektor do të vazhdojë të dominohet nga Silicon Valley, ka shpresa të mëdha për zonën Silicon Beach në Los Anxhelos.
XS
SM
MD
LG