Lidhje

Ndotja e mjedisit nga industria e pularisë


Rritja e kërkesës për mish, qumësht dhe vezë në mbarë botën po nxit fenomenin që ekspertët e quajnë “revolucioni i gjësë së gjallë”. Ky sektor po transformohet me shpejtësi drejt një operacioni me përmasa industriale. Këto mega-ferma kanë edhe disavantazhet e tyre. Krahas prodhimit të mishit më të lirë, ato prodhojnë edhe shumë mbeturina të kafshëve që mund të shkaktojnë probleme të mëdha ndotjeje. Në shtetin Maryland në SHBA, rregulla të reja po mundohen të ulin ndotjen nga fermat, por fermerët mund të mbeten të qarkuar nga male me pleh organik.

Tre mijë tonë pleh organik në vit është nënprodukti i industrisë prej miliarda dollarësh të shpezëve në Maryland. Por, aty ku disa shikojnë vetëm një problem mbeturinash, disa të tjerë shikojnë një mundësi biznesi.

“Në pranverë, ndoshta do ta çojmë direkt tek një fermer ,” thotë Ray Ellis, tregtar plehu.

Zoti Ellis lidh fermerët e pularive me fermerët e të korrave që kanë nevojë për pleh.

“Toka nuk kishte pjellori. Pasi përdorej plehu i pulave, rigjallërohej toka,” thotë ai.

Kjo tokë është tashmë e mbingarkuar me mbeturina që derdhen drejt Gjirit Chesapeake duke ndotur mjedisin e njohur për prodhimet e detit.

“Duke qenë se ka tepri mbetjesh ushqimore në ujë, kjo shkakton një rritje të tepruar të organizmave,” thotë Royden Powell, i Departamentit të Bujqësisë të shtetit Maryland.

Zoti Powell thotë se rritja me tepri e algave po kufizon rritjen e specieve të tjera. Për këtë arsye, shteti miratoi rregulla të reja që i ndalojnë fermerët të depozitojnë plehun e pulave në fusha të mbingarkuara.

Tashmë i duhet gjetur një tjetër vend gati dy të tretës së plehut, për të cilin ka kërkesë.

“Ka shumë fermerë që e kërkojnë këtë produkt,” thotë zoti Powell.

Shteti Maryland financon pjesërisht transportimin në vende të tjera, megjithëse nuk dihen sasitë e shtuara që duhen zhvendosur dhe destinacioni.

“Nuk është më një treg i rregulluar. Logjistika mungon dhe po kështu klientela e organizuar,” thotë Ray Ellis.

Zoti Ellis është i shqetësuar pasi fermerët e pulave duhet të ulin punën për sa kohë nuk kanë ku ta çojnë plehun. Kjo do të dëmtonte ekonominë rurale.

Fermerët dhe mjedisorët po presin të shikojnë se si shteti Maryland do të veprojë për të mbrojtur Gjirin Chesapeake pa i bllokuar fermerët me male plehu.

XS
SM
MD
LG