Lidhje

Tiranë: Perceptim i lartë i korrupsionit


Organizata Transparency International publikoi sot indeksin vjetor të perceptimit të korrupsionit, sipas të cilit Shqipëria renditet në vendin e 110 nga 175 shtete të botës. “Nga 31 pikë vitin e kaluar sivjet Shqipëria është ngjitur vetëm me 2 pikë dhe renditet e fundit në Europën juglindore me 33 pikë” - thotë Anri Bala, përfaqësues i organizatës Transparency International për Shqipërinë.

Gjendja e korrupsionit në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:15 0:00

Po çfarë ka ndikuar më shumë në këtë perceptim ende negativ të qytetarëve mbi nivelin e korrupsionit në Shqipëri? Veprimtarja e kësaj zyre Ledia Kadiasi, thotë se përveç qindra rasteve kur qytetarët ndeshin vetë korrupsionin dhe kërkesat për rryshfet, një rol të madh ka zënë edhe rastet e pasqyruara nga mediat prej gjykatave.

Mosndëshkimi i korrupsionit dhe përhapja e tij e gjerë në administratë dhe në shoqëri është përmendur edhe në shumë studime të tjera shqiptare dhe ndërkombëtare. Si e vlerësojnë rezultatin e publikuar st ekspertë me përvojë në këtë fushë? Inesa Hila thotë se ky indeks është një matje për administratën publike, por ai në fakt përfshin edhe ato biznese që bashkëpunojnë me të.

Qeveria deklaroi që ndonëse Shqipëria ka ngjitur disa shkallë në klasifikimin e indeksit të perceptimit të korrupsionit, ajo është penalizuar nga situata e korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Kështu u shpreh Ministri i Pushtetit vendor dhe Koordinatori kombëtar antikorrupsion Bledi Çuçi.

“Nga një analizë më e thelluar e studimeve ku bazohet Indeksi për Korrupsionin nga Transparency International del qartë se ajo çka e bën Shqipërinë të mos ketë hop cilësor në këtë indeks, lidhet me nivelin e lartë të korrupsionit në drejtësi. Më specifikisht, nga 7 studimet të cilat përbëjnë bazën e Indeksit, ku përfshihen Indeksi i Transformimit i Fondacionit Bertelsmann, i Freedom House, Projekti Botëror i Drejtësisë, Studimi i Forumit Botëror Ekonomik mund të shihet qartazi se Shqipëria vuan nga një korrupsion në sistemin e drejtësisë civile dhe penale, nga ndërhyrjet në proceset gjyqësore, etj", deklaroi zoti Çuçi.

Sipas tij, korrupsioni në sistemin gjyqësor shqiptar është vlerësuar me vetëm 25 përqind të pikë, ndërsa nga ana tjetër pjesa që lidhet me ekzekutivin dhe degët e tij kanë patur një vlerësim me 45 përqind. Një rezultat i tillë, nënvizoi ai, “dëshmon nevojën urgjente për të reformuar sistemin e drejtësisë, prandaj duke folur në emër të qeverisë, ai i bëri thirrje parlamentit që të nis sa më parë një reformë rrënjësore të këtij sistemi”.

Korrupsioni është një nga dukuritë më shqetësuese në shumë fusha të jetës shqiptare. Bashkimi Europian e ka renditur luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në krye të detyrave që i ka lënë Shqipërisë në procesin e integrimit dhe të plotësimit të kritereve për statusin e vendit kandidat.

Prej vitesh është bërë e zakonshme një praktikë e mosndëshkimit të korrupsionit. Një numër i madh rastesh nuk denoncohen, po edhe ato që denoncohen nuk përfundojnë me ndëshkime nga gjykatat. Kjo gjendje është bërë shkak edhe për të nisur një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë.

XS
SM
MD
LG