Lidhje

Puna në të zezë dhe informaliteti në Shqipëri


Me një papunësi zyrtare rreth 20 për qind, Shqipëria po bën përpjekje të shtojë vendet e punës dhe të luftojë informalitetin në këtë fushë.

Inspektoriati i Punës ka zbuluar gjatë këtij viti 900 punëtorë pa sigurishe shoqërore dhe 1800 të tjerë pa kontrata pune individuale.

Në mbi 550 kontrolle tek bizneset private doli se është ulur me 60 për qind numri i punëtorëve pa kontrata individuale.

Nga 1800 punëtorë pa kontrata pune individuale, shumica janë gjetur në Kukës, Korçë, Gjirokastër, Vlorë.

Një pjesë jo e vogël e punëtorëve pa kontrata janë zbuluar edhe në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër.

Punëtorët pa kontrata pune janë gjetur kryesisht në firma të fushave bujqësi, ndërtim, shërbime, tregti dhe transport.

Ndërkaq numri i aksidenteve në punë është ulur me 30 për qind. Konkretisht kanë ndodhur 42 aksidente në punë, nga këto 8 femra.

Drejtuesi i Inspektoriatit të Punës Dritan Ylli, thotë se është dyfishuar numri i ankesave të punëtorëve dhe i kontrolleve mbi këto ankesa, sepse ata besojnë më shumë që kontrollet e shpeshta i zgjidhin shkeljet.

Punëtorë të pasiguruar u gjetën 900 vetë; shumica në Vlorë, Tiranë, Korcë dhe Dibër.

Një numër jo i vogël punëtorësh pa sigurime janë gjetur edhe në Kukës, Lezhë, Durrës dhe Berat.

Punëtorët pa sigurime janë zbuluar shumica në firma prodhuese, ndërtim, tregti e shërbime.

Midis qindra punëtorëve pa sigurime e pa kontrata janë gjetur edhe mbi 300 firma pa licensë, që vepronin në të zezë.

Këtë vit u rrit me 45 për qind ndëshkimi i firmave për shkelje të ligjeve të punës.

Mbi 70 firma tregtare e prodhuese janë gjobitur me 240 mijë dollarë për shkeljet me kontratat dhe sigurimet e punëtorëve.

Më pak janë gjobitur firma ndërtimi, shërbimi apo miniera.

Bizneset private po nxitojnë këtë periudhë vere që të rregullojnë dokumentat, në pritje të një kontrolli të rreptë që njoftoi qeveria në shtator kundër evazionit fiskal dhe shkelje të tjera që ndodhin në ekonomi.

Një numër jo i vogël firmash punojnë me dy bilance, fshehin fitimet dhe punëtorët, madje krijojnë edhe skema mashtrimi për të shmangur sistemin e tatim-taksave.

Qeveria premtoi se do t'u paguante sigurimet shoqërore për një vit firmat që marrin punëtorë të rinj.

Por ndërsa marrin punëtorë të rinj, kompanitë përsëri fshehin numrin ekzistues të punëtorëve, duke mos paguar sigurimet shoqërore për një pjesë të tyre.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG