Lidhje

Nis operacioni ndaj informalitetit


Inspektoriati i Tatimeve dhe Taksave nisi sot një operacion të gjerë në Tiranë dhe qytete të tjera në përpjekje për të luftuar informalitetin dhe evazionin fiskal.

Edhe pse u deklarua se kontrollet do të nisin nga bizneset e mëdha, ku edhe evazioni është më i madh, ishin bizneset e vogla ato që i pritën me më shumë frikë kontrollet e tatimorëve.

Disa tregtarë thanë se e mbështetnin operacionin e tatimeve dhe kërkonin që grupet e kontrollit t'u dorëzojnë raporte me shkrim mbi situatën e gjetur, në mënyrë që t'ua tregojnë grupeve pasardhëse, sepse cdo kontroll po e nis punën nga e para.

Një pjesë e shitoreve i kishin mbyllur dyert, por edhe në ato që ishin hapur, tregtarët ndiqnin me shikime të frikësuara cdo person që hynte aty me dyshimin se mund të ishin inspektorë tatimesh.

Një pjesë e tregtarëve pohuan se vetëm sot kishin kaluar dy kontrolle dhe ishin gati ta mbyllnin fare biznesin, se fitimet janë minimale dhe aq sa mbeten nuk dalin për të paguar taksat apo gjobat.

Por ka edhe tregtarë më të mëdhenj, që i kërkojnë drejtorisë së tatimeve, që të hartojnë një histori të ecurisë së cdo biznesi, të ndajnë bizneset e rregullta nga ato të parregullta dhe t'i trajtojnë në mënyrë të diferencuar ata që i zbatojnë ligjet me përpikmëri prej dy dekadash.

Operacioni është pritur në mënyra të ndryshme nga tregtarët. Disa të parregullt e ndjekin me frikë cdo lajm mbi kontrollet, dhe po rendin të regjistrohen në qendrën kombëtare të regjistrimit të bizneseve.

Pjesa e bizneseve të rregullt po e presin me qetësi operacionin kundër informalitetit, sepse po presin t'u heqë barrën e konkurrencës së pandershme prej bizneseve të parregullta.

Ata thonë se kush është në rregull, nuk ka pse frikësohet, madje shtojnë se edhe taksat nuk janë aq të larta sa për t'u trembur.

Një sfidë më vete është edhe kontrolli i tregtarëve ambulantë, të cilët shesin në lëvizje dhe nuk tregojnë asnjë dokument fiskal.

Sipas tregtarëve, që komentojnë jashtë kameras, ata presin që inspektorët e tatimeve të kontrollojnë më shumë bizneset e mëdha, sepse ata i shmangin taksat dhe kontrollet duke shfrytëzuar lidhjet e tyre me zyrtarë të administratës shtetërore, pasatj gjithë barra e presioni u mbetet bizneseve të vogla.

Qeveria shqiptare ka pranuar se nga një studim i tregjeve, më shumë se një e treta e bizneseve veprojnë në informalitet, madje afro gjysma e tyre nuk përdorin kasa fiskale as u japin klientëve fatura tatimore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG