Lidhje

INSTAT po kalon në varësi të kryeministrit, opozita kundërshton


INSTAT po kalon në varësi të kryeministrit, opozita kundërshton
INSTAT po kalon në varësi të kryeministrit, opozita kundërshton

Komisioni parlamentar i ekonomisë miratoi sot një ndryshim në ligjin për statistikat, sipas të cilit, Instituti i Statistikave kalon në varësi të kryeministrit. Deputetët e koalicionit qeveritar pohuan se ky ishte një formalitet, që lidhej me faktin se deri sot në ligj nuk parashikohej konkretisht varësia e këtij institucioni. Por deputetët e opozitës kundërshtuan ndryshimin ligjor, duke thënë se kështu vendoset edhe me ligj varësia faktike që ka INSTAT nga kryeministri Berisha. Opozita kërkoi që INSTAT të jetë nën varësinë e parlamentit.

Vendimi tërhoqi kritikat e analistëve të ekonomisë. Ata shprehën shqetësimin se varësia e drejtpërdrejtë e INSTAT nga kryeministri do të kompromentojë besueshmërinë e të dhënave, që mund të keqpërdoren politikisht gjatë përpunimit nga ky institut. Sipas tyre, ky vendim nuk e ndihmon rritjen e cilësisë së punës në INSTAT.

Studiuesit e ekonomisë vërejnë se vendimi për INSTAT shkon përkundër tendencës së përgjithshme të viteve të fundit, kur kryeministri dhe qeveria decentralizuan shumë kompetenca, duke ngritur agjenci të pavarura në të gjitha fushat. Ata pohojnë se statusi më i përshtatshëm për INSTAT, që do të rritte besueshmërinë e të dhënave, do të ishte pavarësia e tij shkencore, e monituar apo nën kujdestarinë e parlamentit.

Megjithatë sipas tyre, problemi themelor është se INSTAT nuk po arrin dot që të ngrihet në nivelin e standarteve të Bashkimit Europian; Instituti i Statistikave nuk shërben me shpejtësinë, as me saktësinë dhe as me etalone matje të krahasueshme me treguesit e Bashkimit Europian. Shpesh të dhënat që nxjerr Shqipëria nuk përputhen, nuk janë bashkëplotësuese me tabela, grafikë dhe parametra europiane, pohojnë ata.

Kryeministri Sali Berisha po e përmend përherë e më shpesh INSTAT në fjalimet e tij publike të mbushura me dhjetëra shifra e të dhëna. Ai tha sot në mbledhjen e grupit të deputetëve se “sipas statistikave, ekonomia shqiptare ka fituar qëndrueshmëri, ndaj po rrit prodhimin dhe eksportet”. Zoti Berisha tha se privatizimet do të vazhdojnë me Albpetrolin e hidrocentrale të vogla, dhe në tërësi bizneset do të përfitojnë lehtësi të tjera, ndërsa investuesve të huaj do t’u sigurohet një klimë më e favorshme pune.

XS
SM
MD
LG