Lidhje

Instituti Smithsonian për Kërkime Tropikale, një objekt i rëndësishëm shkencor


Instituti Smithsonian për Kërkime Tropikale, një objekt i rëndësishëm shkencor
Instituti Smithsonian për Kërkime Tropikale, një objekt i rëndësishëm shkencor

Kërkimet e tij mbi florën, faunën dhe gjeologjinë kanë çuar në zbulime lidhur me funksionimin e ekosistemeve në tokë

Çdo vit rreth 1 mijë shkencëtarë nga e gjithë bota vizitojnë Institutin Smithsonian për Kërkime Tropikale në Panama. Instituti është një ndër objektet më të mëdha dhe më të vjetra të këtij lloji në botë. Kërkimet e tij mbi florën, faunën dhe gjeologjinë kanë çuar në zbulime lidhur me aspekte të ndryshme të funksionimit të ekosistemeve në tokë. Në vazhdim ju njohim me disa aspekte të punës së këtij instituti dhe të laboratorit të tij tropikal:

Në ora 6 të mëngjesit drita futet me vështirësi përmes degëve të dendura të pyllit tropikal në Ishullin Barro Kolorado të Panamasë. Por as mungesa e dritës, as insektet apo lagështia mbytëse nuk duket se i bezdisin shkencëtarët që po përpiqen të spikasin majmunët.

Antropologia Stefani Ramirez studion një specie majmuni tropikal:

“Më intereson të di se si ushqimi ndikon tek potenciali i tyre riprodhues, pasi këto majmunë ushqehen kryesisht me fruta dhe kemi vënë re se kur bie prodhimi i frutave, majmunët kanë probleme në riprodhim”.

Në ishull ka 1 mijë e 800 majmunë. Tridhjetë e nëntë prej tyre i përkasin species që studion antropologia. Tetë majmunë të tillë kanë radio transmetuese në qafë.

Zonja Ramirez dhe asistentja e saj Loren Mills zbulojnë ku ndodhen kafshët duke ndjekur sinjalin e radios.

Përveç tyre, çdo vit në ishull vijnë rreth 1 mijë shkencëtarë për të kryer studime në terren. Toni Coats është një ndër shkencëtarët e institutit:

“Instituti Smithsonian për Kërkime Tropikale këtu në Panama është si vend i shenjtë për të gjithë shkencëtarët në botë, të cilët janë të interesuar për tropikun dhe biologjinë tropikale”.

Instituti u ngrit në Panama rreth 100 vjet më parë. Sot, Barro Kolorado është pylli tropikal më i studiuar në botë.

Abby Bruning ka ardhur nga Dakota e Jugut për të studiuar milingonat:

“Ua ndryshojmë dietën. Një herë u japim dietë të pasur me karbohidrate, më pas të pasur me proteinë. Pastaj bëjmë analiza për të parë se si milingonat luftojnë infeksionet, çfarë përqindje vdekshmërie shfaqin, etj”.

Studentja Abby Bruning ka mundësi të studiojë këtu rreth 200 specie milingonash.

Këto pemë me lule rozë njihen me termin Dipteryx Panamensis, ose në gjuhën e përditshme me emrin almendro. Këto milingona i pëlqejnë lulet e pemës dhe i marrin për t’i depozituar si ushqim në zgavrat nëntokësore.

Kjo është kolonia Acteke e milingonave. Ato punuan një vit të tërë për të ndërtuar strukturën. Këto milingona janë shpesh ushqim i preferuar për grabitqarë në pyll.

Shkencëtarët përllogarisin se rreth 100 specie gjitarësh jetojnë në këtë ishull të vogël. Më shumë se gjysma e tyre janë lakuriqë nate. Ka gjithashtu 71 specie zvarranikësh dhe mbi 30 milionë specie insektesh.

Tony Coats shpejgon:

“Pjesa dërrmuese e specieve të bimëve dhe kafshëve jetojnë në zonën tropikale. Pjesa dërrmuese e njohurive teknike, vullnetit politik dhe burimeve arsimore e financiare janë në brezin me klimë të moderuar. Gjetja e një mënyre që këto burime t’i shërbejnë botës tropikale është një ndër sfidat më të mëdha me të cilat përballen përpjekjet globale për ruajtjen e pasurive natyrore”.

Instituti Smithsonian për Kërkime Tropikale e ka qendrën në Qytetin e Panamasë. Biblioteka e tij me 70 mijë vëllime mbi biologjinë tropikale, konsiderohet nga shkencëtarët si një ndër më të mirat në botë:

“Kjo bibliotekë ndjek të njëjtin sistem si Biblioteka e Kongresit”.

Aty pranë ndodhet Kulebra, një qendër e rëndësishme edukimi për publikun. Një qind mijë vetë, pjesa më e madhe fëmijë panamezë e vizitojnë qendrën çdo vit.

“Ky është kontributi ynë më i madh për Panamanë, ku kemi ngritur institutin”.

Ndërkohë që Instituti Smithsonian për Kërkime Tropikale në Panama do të mbushë së shpejti 100 vjet, ai po përgatitet edhe për hapjen e një objekti të ri kërkimor në qytetin e Gamboas.

Donatorë privatë kanë kërkuar nga instituti të zhvillojë studime mbi prirje të rëndësishme si aftësia e pyjeve për të penguar erozionin dhe për të thithur gazin karbonik nga ajri, si dhe mënyrat për të mbrojtur një ndër ekosistemet më të rëndësishme në planetin tonë.


XS
SM
MD
LG